Partia Ekologjike e Kosovës shpreh shqetësimin e vet të thellë për gjendjen e ndotjes enorme në Kosovë, e në veçanti në Prishtinë dhe rrethinën e saj.
Sipas kësaj partie, me muaj të tërë, Prishtinën dhe rrethinën e saj e ka kapluar një ndotje e paparaparë.
“Për kundër shumë reagimeve tonat, të OJQ-ve dhe qytetarëve të Kosovës, ka kohë që nga institucionet e kompetente dhe Qeveria e Kosovës, nuk ndërmarrin asgjë, përveç se në ekranet tona televizive paraqiten duke konstatuar gjendjen e mjedisit, por ajo që për ta është e rëndësishmja – Ndërmarrja e masave për zvogëlimin dhe evitimin e ndotjes nuk ka”, thuhet në njoftimin e PEK-së.
PEK bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj, që sa më parë të vejnë në funksion mekanizmat e saj për të zvogëluar apo evituar ndotjen enorme, përcjell Telegrafi.
“Partia Ekologjike e Kosovës, edhe pse të vonuar e përshëndet dhe i bashkohet Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, për porosinë që dërgoi Institucioneve shtetërore për ndërmarrjen e masave sa më të shpejta për ta përmirësuar gjendjen e mjedisit në Prishtinë. Edhe kësaj here, Partia Ekologjike bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj, që sa më parë të vejnë në funksion mekanizmat e saj për të zvogëluar apo evituar ndotjen enorme e cila e ka kapluar vendin e në veçanti kryeqytetin dhe rrethinën e saj”.
“Kërkojmë që m e urgjenti të bëjnë ndalimin e ndotjes, të ndikoj në burimet dhe gjeneratorët e ndotjeve me urdhëresë të veçantë, qoftë kjo edhe ndërprerjen e prodhimit të energjisë, në zvogëlimin e qarkullimit të automjeteve, ndërprerje të rrënimit të objekteve në fshatin Shipitull, të cilët veç sa vjen e vështirëson gjendjen mjedisore e në veçanti ndotjen e ajrit”.
Kjo gjendje tani më nuk është e durueshme, kjo gjendje e mjedisit shkakton pasoja të mëdha për shëndetin e qytetarëve të saj, për sjelljen e sëmundjeve, gjendjes gripoze, thuhet në fund. /Telegrafi/