Partia Demokratike e Socialistëve, udhëheqësi i së cilës është Milo Gjukanoviç, ftoi mbështetësit e saj në një tubim të planifikuar për në 6 shtator në Sheshin e Pavarësisë në Podgoricë.
Kështu së paku është bërë e ditur përmes llogarive të partisë në rrjetet sociale, ku ftesa ndiqet nga disa mesazhe – “Nuk ka justifikime”, “Le të tregojmë se jemi shumë prej nesh” dhe “Mali i Zi mbi të gjitha”, transmeton Telegrafi.
Mbledhjet publike janë të kufizuara nga masat e Trupit Kombëtar të Koordinimit për 40 persona në vende publike, dhe kur bëhet fjalë për tubime politike – për 100 persona në hapësira të hapura publike, me detyrimin për të respektuar distancën fizike prej të paktën dy metra midis personave, të veshur me maska mbrojtëse dhe dezinfektimin e duarve, shkruan Vijesti.
Këto masa janë shkelur masivisht ditëve të fundit në kremtimet e rezultateve të zgjedhjeve të opozitës, ku drejtuesit e tyre u bënë thirrje qytetarëve të festojnë fitoren në shtëpi natën e zgjedhjeve, por jo të gjithë u bindën.
Theksojmë se bazuar në 98.55 për qind të mostrës së përpunuar të materialit zgjedhor, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Mal të Zi njoftoi të hënën rezultatet paraprake të zgjedhjeve, sipas të cilave, Partia Demokratike e Socialistëve, e udhëhequr nga presidenti Millo Gjukanoviq, ka fituar 35.12 për qind të votave, ndërsa koalicioni opozitar “Për ardhmërinë e Malit të Zi” 32.54 për qind të votave.
Sipas rezultateve të KSHZ-së, koalicioni “Paqja është kombi ynë” ka siguruar 12.55 për qind të votave, “E bardha në të zezë” më 5.57 për qind, Socialdemokratët më 4.09 për qind, Partia e Boshnjakëve më 3.81 për qind, Partia Social-Demokrate më 3.14 për qind, Lista Shqiptare më 1.61 për qind dhe koalicioni shqiptar “Bashkë nji za” më 1.16 për qind. /Telegrafi/