Telegrafi

Partia e Baçevit: Ivanovi t’i fal mbrojtësit e Kushtetutës

Partia “Maqedonia e Vetme” e cila udhëhiqet nga Janko Baçev, ka kërkuar nga presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, që t’i pranojë kërkesat e të dënuarve për ngjarjet e 27 prillit dhe t’i falë të njëjtit.

Nga partia e Baçevit kërkojnë nga Ivanovi t’i falë siç thonë “mbrojtësit e Kushtetutës”, pasi sipas tyre, ata janë futur në Kuvend vetëm që të mbrojnë rendin kushtetues, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Lexo po ashtu Disa të dënuar për ngjarjet e 27 prillit kanë dorëzuar kërkesë për falje tek Ivanovi

“Ivanov ka edhe detyrim moral t’i fal, pasi kur i dha mandatin Zaevit kërkoi garancë për procedurat kundër mbrojtësve të Kushtetutës. Maqedonia e Vetme me kërkesën për falje, riafirmon kërkesën e saj të 21 janarit të vitit 2018, kur kërkoi nga Ivanovi, Zaevi dhe Mickoski në takimin e liderëve të arrijnë marrëveshje për formën e lirimit të mbrojtësve të Kushtetutës”, thonë nga partia “Maqedonia e Vetme”.

Ata besojnë se presidenti Ivanov deri në fund të mandatit të tij do të gjejë kurajë dhe do të fal të dënuarit për ngjarjet e 27 prillit, të cilët ditëve të fundit kanë dorëzuar kërkesa për amnisti./Telegrafi/