Deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Oerd Bylykbashi shprehet i bindur se në Dibër janë vjedhur votat.
“Rastet e publikuara në media, apo ditën e zgjedhjeve janë dëshmi jo thjesht të blerjes së votës. Ato dëshmojnë se në Dibër funksionoi një skemë e mirë organizuar me fond dhe pagatorë të vënë në dispozicion për blerjen e votës”, deklaroi Bylykbashi.
Ligjvënësi demokrat tha se grupi i strukturuar kriminal ka ndarë miliona lekë për të blerë votat.
“Duke nisur nga drejtuesit politikë të fushatës në bashkëpunim me figurat e njohura të krimit të organizuar drejtorë të administratës qendrore dhe lokale, shefa policie, administratorë, kryepleqtë, dhe zyrtarë publikë, ky grup i strukturuar kriminal ka ndarë milionat që duheshin, njerëzit që do të kryenin operacionin, duke llogaritur e paracaktuar blerjen e votave sipas çdo qendre votimi”, tha deputeti demokrat, shkruan gazeta Shekulli.
Sipas demokratëve zgjedhjet në Dibër duhet të shërbejnë si një reflektim i thellë kombëtar dhe për një veprim të përbashkët për lirinë e votës.