Kopjimet masive, validiteti i pyetjeve, mosndëshkimet sipas ligjit të provimit të maturës shtetërore janë vetëm disa nga të gjeturat e “Raportit analitik mbi Provimin e Maturës Shtetërore”, që është publikuar sot nga organizata ETEA.
Ky raport synon të ofrojë një vlerësim kritik dhe gjithpërfshirës të procesit të provimit të maturës shtetërore, duke analizuar efektivitetin, integritetin akademik, dhe sfidat kryesore që ndërlidhen me të gjatë viteve të fundit, me fokus në vitin 2024.
Drejtori i organizatës “ETEA”, Agon Ahmeti ka deklaruar se në masë të madhe ajo që është vërejtur është kopjimi dhe manipulimet që ndodhin gjatë mbajtjes së Testit të Maturës.
“E para ka të bëjë me kopjimin dhe manipulimet në provimet e maturës i cili është një problem sistematik i nxitur kryesisht nga toleranca dhe inkurajimi i administratorëve dhe mbikëqyrësve që janë përgjegjës në mbarëvajtjen e procesit të punës në kuadër të provimit të maturës dhe arsye e dytë është frika nga dështimi dhe pritshmëritë e larta nga të afërmit”, ka thënë ai.
Ahmeti, ka deklaruar se nxënësit kanë kërkuar që në këtë proces të përfshihet edhe përqindja e angazhimit të tyre në aktivitete jashtë kurrikulare.
Ndërsa, si çështje tjetër shqetësuese përmend validitetin e pyetjeve, pasi që siç thotë ai nxënësit kanë vlerësuar se pyetjet shpesh nuk përputhen me kurrikulën që është mësuar në shkollë të mesme.
Ai, ka thënë se janë dy faktorë që e mundësojnë kopjimin.
“Një pjesë e konsiderueshme e administratorëve dhe studentëve mbikqyrës e lejuan kopjimin gjatë provimit të maturës së vitit 2024…Janë gjet dhjetëra grupe në rrjete sociale dhe në platforma online të komunikimit të cilat kanë qenë tejet aktive gjatë kohës sa është zhvilluar provimi i maturës dhe njëri prej tyre ka arritur numrin e mbi 7600 anëtarë që kanë qenë aktiv gjatë kohës sa është zhvilluar provimi i maturës dhe ka pas emrin matura 2024. Nëse e marrim për bazë këtë numër del që rreth 42% e të gjithë maturantëve në Kosovë kanë qenë të përfshirë në këtë grup në viber. Ndërsa, sipas deklaratës së Ministrisë së Arsimit janë vetëm 79 nxënës që janë përjashtuar për posedim dhe përdorim të telefonit gjatë provimit ”, ka shtuar Ahmeti.
Drejtori Ahmeti, ka hedhur kritika mbi Ministrinë e Arsimit duke thënë se kjo e fundit rrallë herë përmban informacione mbi ndëshkimet e personave për shkelje të rregullave.
“Në anën tjetër raportet e Ministrisë së Arsimit rrallë herë përmbajnë informacione mbi ndëshkimet e personave përgjegjës për shkelje të rregullave të provimit duke nxit dyshime mbi seriozitetin dhe efektivitetin e masave të marra…Nga gjetjet e organizatës ETETA del që prej vitit 2006 kur ka filluar të organizohet ky provim janë jo më shumë se 16 persona të ndëshkuar sipas ligjit të provimit të maturës shtetërore dhe të gjithë këta 16 persona janë të ndëshkuar me pragun minimal që i bie me 300 euro pagesë, ndërsa ligji parasheh ndëshkime tre mijë deri në pesë mijë euro”, ka thënë ndër të tjera Ahmeti.
Ndërsa, hulumtuesja e kësaj organizate, Bleona Kurteshi ka dhënë disa rekomandime sa i përket mbajtjes së provimit të maturës shtetërore.
Ajo, ka kërkuar që ligji për provimin e maturës shtetërore duhet të rishikohet.
“Ndër rekomandimet ka të bëjë me integrimin e teknologjisë së avancuar për mbikëqyrjen e provimit, pra ne konsiderojmë se është shumë e rëndësishme që të përfshihet teknologjia në procesin e mbikëqyrjes së provimit të maturës, pra përdorimin e kamerave, detektorëve për pajisje elektronike..
Po ashtu konsiderojmë se ligji për provimin e maturës duhet të rishikohet, me theks të veçantë ashpërsimi i masave ndëshkimore ndaj administratorëve dhe personave përgjegjës siç u tha edhe më herët përfshihen dhe inkurajojnë nxënësit duke i lejuar që ata të kopjojnë, krijimi i një platforme anonime ku nxënësit dhe mësimdhënësit mund t’i raportojnë rastet e kopjimit dhe shkeljes së rregullave”, ka thënë ajo.
Testin e maturës shtetërore në afatin e parë e kanë kaluar 13,342 nxënës apo 73.3% e maturantëve.
Ndërsa, i janë nënshtruar 18,285 mijë nxënës të klasave të 12-ta në të gjithë vendin. /KP/