Gabim i shoferit ose parregullsi e papritur teknike e autobusit janë shkaqet e mundshme të aksidentit në të cilin humbën jetën së paku 46 persona, ndërsa shtatë janë lënduar, tha drejtori i Shërbimit hetimor kombëtar bullgar, Borisllav Sarafov.
Ai bëri të ditur se në autobusin e djegur ndodheshin 52 pasagjerë, 12 prej të cilëve fëmijë. Nga të dhënat e para mësohet se nuk ka shtetas bullgarë.
Mes të vdekurve është edhe shoferi i autobusit.
Ministri bullgar i Punëve të Brendshme, Bojko Rashkov, i cili së bashku me kryeministrin Stefan Janev janë në vendin e aksidentit, tha se shkaku do të sqarohet në detaje gjatë hetimit.
“Fotografia është e tmerrshme dhe jo të gjithë mund ta durojnë atë. Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë. Është e vështirë të përcaktohet se sa njerëz ka dhe kush janë ata, tha Rashkov.
Ai theksoi se përveç autobusit të djegur kanë qenë edhe tre të tjerë. Autobusi i aksidentuar ka lëvizur i fundit.
Nga autobusi është shkatërruar rrethoja mbrojtëse në autostradë dhe ka shumë mundësi që zjarri të ketë ndodhur në kontakt të autobusit me rrethojën mbrojtëse, tha Rashkov.