Telegrafi

Parlamenti izraelit hodhi poshtë për herë të parë idenë e shtetit palestinez

Parlamenti i Izraelit ka miratuar një rezolutë që kundërshtoi me shumicë dërrmuese krijimin e një shteti palestinez, raportuan mediat izraelite.

Rezoluta u miratua në Knesset me 68 vota pro dhe vetëm nëntë kundër, transmeton Telegrafi.

U tha se një shtet palestinez do të përbënte “rrezik ekzistencial për shtetin e Izraelit dhe qytetarët e tij, do të përjetësonte konfliktin izraelito-palestinez dhe do të destabilizonte rajonin”.

Koalicioni i kryeministrit Benjamin Netanyahu me partitë e ekstremit të djathtë bashkë-sponsorizoi rezolutën.

Partia e qendrës së majtë të liderit të opozitës Yair Lapid u largua nga seanca për të shmangur mbështetjen e deklaratës, pavarësisht se më parë kishte thënë se favorizonte një zgjidhje me dy shtete.

Mustafa Barghouti, sekretari i përgjithshëm i Iniciativës Kombëtare Palestineze, kritikoi miratimin e rezolutës.

“Asnjë parti sioniste nga qeveria dhe opozita nuk votoi kundër rezolutës”, shkroi ai në X.

“Kjo rezolutë përfaqëson një refuzim të paqes me palestinezët dhe një deklaratë zyrtare të vdekjes së marrëveshjes së Oslos”, postoi Barghouti. /Telegrafi/