Parlamenti i Hungarisë në seancën e sotme votoi për ratifikimin e anëtarësimit të Finlandës në NATO, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt hyrjes së këtij vendi në aleancën ushtarako-politike.
Pas disa vonesave, përfaqësuesit hungarez sot filluan diskutimin për anëtarësimin e Finlandës në NATO, transmeton Telegrafi.
Pas disa orësh diskutimesh, politikanët vazhduan me votimin dhe miratuan propozimin që Hungaria të ratifikojë hyrjen e këtij vendi në NATO. Për këtë propozim votuan 182 deputetë, ndërsa kundër ishin gjashtë.
Hungaria dhe Turqia janë të vetmet vende të mbetura të NATO-s që deri më sot nuk e kanë ratifikuar ende anëtarësimin e Finlandës në këtë organizatë.
Edhe pse hyrja e Finlandës dhe Suedisë në NATO është dashur të konsiderohet si paketë, Turqia tha se Suedia ende nuk i plotëson kërkesat dhe se ky vend do të diskutojë vetëm anëtarësimin e Finlandës në NATO.
Një qëndrim të ngjashëm kishin edhe hungarezët, ku partia në pushtet e kryesuar nga Viktor Orbán theksoi se nuk ka asgjë kundër hyrjes së Finlandës në NATO, por se Suedia ende nuk i plotëson kërkesat.
Gjithashtu, përfaqësuesit hungarez thanë se ky vend nuk do të jetë i fundit kur vjen puna për të marrë vendim për anëtarësimin e Finlandës në NATO, dhe me votimin e sotëm hungarezët e mbajtën fjalën pas një sërë vonesash.
Kur është fjala për Turqinë, Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit të Turqisë miratoi hyrjen e këtij vendi në NATO, dhe u theksua se debati për këtë çështje në parlament duhet të zhvillohet tashmë gjatë kësaj jave.
Kur Turqia, si vendi i fundit që duhet ta miratojë hyrjen e Finlandës në NATO, të ndërmarrë këtë hap, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do ta ftojë zyrtarisht Finlandën për t’u anëtarësuar.
Ky vend patjetër do të bëhet anëtar kur letra e anëtarësimit në NATO të depozitohet për ruajtje në Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/