Telegrafi

Parlamenti holandez miratoi një ligj që e bën punën nga shtëpia një të drejtë ligjore

Parlamenti holandez ka miratuar një ligj që e bën punën nga shtëpia një të drejtë ligjore, duke e bërë Holandën një nga vendet e para që ligjëroi fleksibilitetin e punës në distancë.

Ligji u miratua nga dhoma e ulët e parlamentit dydhomësh e Holandës. Ajo ende ka nevojë për miratimin e senatit holandez përpara miratimit përfundimtar.

Ligji i detyron punëdhënësit të marrin në konsideratë kërkesat e punonjësve për të punuar nga shtëpia për sa kohë që profesioni i tyre ua lejon një gjë të tillë, raportojnë mediat.

Pandemia ka nxitur një ndryshim në qëndrimet për punën, me shumë punëtorë që kërkojnë të ruajnë një pjesë të fleksibilitetit që kanë përjetuar gjatë dy viteve të fundit.

Por me kompanitë që kërkojnë t’i përgjigjen kërkesës në rritje ndërsa pandemia tërhiqet, tema po bëhet një çështje gjithnjë e më polarizuese.

Muajin e kaluar, CEO i Tesla, Elon Musk i dha stafit të kompanisë një ultimatum për t’u kthyer në zyrë – ose për t’u larguar. /Telegrafi/