Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për zbatimin e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian në vitin 2023, në të cilën shprehu shqetësimin për refuzimin e Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe ndikimin destabilizues të autoriteteve serbe në rajon.
Në rezolutë, ftohen Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së të marrin masa ndaj autoriteteve serbe nëse rezulton se kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në sulmin e armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës në shtator 2023 dhe në dhunën që shpërtheu në Kosovë në maj të atij vitit, “ose nëse autoritetet serbe refuzojnë të bashkëpunojnë plotësisht”.
Siç shkruan “N1”, në rezolutë, eurodeputetët shprehin shqetësim serioz edhe për deklaratën e Presidentit të Serbisë në të cilën ai mbështeti një ndërhyrje të mundshme ushtarake të Kinës kundër Tajvanit në shkurt, në kundërshtim me politikën e BE-së, e cila mbron ‘status quo-n’ në ngushticën e Tajvanit dhe kundërshton çdo lëvizje të njëanshme, veçanërisht ato ushtarake, transmeton Telegrafi.
PE-ja i bëri thirrje Bashkimit Evropian që ta ndryshojë qasjen në dialog në mënyrë që të ketë përparim.
“Ftojmë BE-në që të miratojë një qasje të re në ndërmjetësimin mes palëve në mënyrë që të tejkalohet ngecja aktuale. Rikujtojmë se dështimi i këtij dialogu po ashtu do të reflektojë në rolin e BE-së si një faktor i besueshëm në politikën e jashtme”, thuhet në tekstin e këtij raporti.
Në rezolutën e miratuar nga Parlamenti Evropian për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), kërkohet që ky proces të bëhet më efikas, përfshirë duke e hequr përdorimin e vetos për vendet anëtare. /Telegrafi/