Parlamenti Evropian ka votuar sot pro Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2018.
Kjo është bërë e ditur nga Igor Sholtes, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, i cili edhe ka falënderuar deputetët e parlamentit Evropian për mbështetjen e dhënë raportit, përcjell Telegrafi.
“Dëshiroj të falënderoj të gjithë deputetët e Parlamentit Europian që dhanë mbështetjen e tyre për raportin e progresit të PE për Kosovën në vitin 2018”, ka shkruar ai në një postim në Twitter.
Ai ka publikuar edhe një tabelë në të cilën shihet se nga 603 deputetë, 393 kanë votuar pro, 139 kundër, si dhe 71 abstenime.
I would like to thank all the MEPs who gave its support on the 2018 EP progress report on Kosovo ?? #EPlenary #EPvotes #kosovo pic.twitter.com/F5dSlM7rQ0
— Igor Šoltes (@isoltesEP) November 29, 2018
Ndërkohë mediat kanë shkruar se Igor Sholtes ka identifikuar si problemet më të mëdha në vend, korrupsionin e madh, krimin e organizuar, dhe mungesën e konsensusit politik në vend.
“Çështjet dypalëshe nuk mund të zgjidhen me masa të tepruara”, tha Soltes, duke pasur parasysh taksën 100% që Kosova ka vendosur javën e kaluar për prodhimet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Sholtes gjithashtu ishte shprehur se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave, dhe ka bërë thirrje që BE-ja të kryejë detyrimin e saj.
Edhe komisioneri për zgjerim Johanes Hahn është pajtuar se taksa nuk zgjidh asnjë problem.
“Vendimet e fundit të Qeverisë janë shumë shqetësuese dhe po dëmtojnë seriozisht Kosovën dhe bashkëpunimin rajonal, po shkelin marrëveshjen e CEFTA-s dhe janë në kundërshtim me frymën e MSA-së”, ka thënë Hahn.
Sipas tij, rruga drejt reformave është e ngadaltë, por BE-ja do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën. /Telegrafi/