Telegrafi

Parlamenti britanik refuzon sërish marrëveshjen e May për Brexit

Marrëveshja për Brexit e kryeministres britanike, Theresa May, ka pësuar një humbje të dytë në Parlamentin britanik – vetëm 17 ditë para se Britania e Madhe të largohet nga Bashkimi Evropian.

Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, deputetët britanikë i kanë thënë jo marrëveshjes së May, duke votuar 391 kundër, ndërsa 242 për.

Kjo është humbja e dytë poshtëruese për Kryeministren e cila pësoi humbjen më të madhe parlamentare ndonjëherë në janar, kur marrëveshja e saj për Brexit u refuzua me një shumicë prej 230 votash.

Zonja May tha më herët sot në parlament se ekziston një rrezik që Brexit mund të ‘humbet’ nëse marrëveshja e saj e rishikuar nuk do të kalojë.

Por deputetët refuzuan përpjekjet e saj të fundit për të ndryshuar marrëveshjen e saj, duke thënë ‘asgjë nuk ka ndryshuar’. /Telegrafi/