Telegrafi

Parisi – nga Balzacu te periferitë

Pamje e vitit 1877 nga ndërtimi i Avenysë së Operës [Avenue de l‘Opéra] në Paris (foto: Rijksmuseum, Amsterdam)

Nga: Lauren Elkin / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Në mesin e viteve 1840, në gjendjen melankolike shpirtërore përkitazi me serinë e modernizimeve që po përjetonte në Paris, në romanin e tij të papërfunduar, Borgjezi i vogël [Les Petits Bourgeois], Honoré de Balzac ka shkruar: “Mjerisht! Parisi i vjetër po zhduket me ritëm të frikshëm”. Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, gjatë rinovimit në shkallë të gjerë të Parisit nga [Georges-Eugène] Haussmanni, midis viteve 1853-1870, Charles Baudelaire këtë lloj transformimi do ta konsideronte si thelbin e asaj që do të thotë të jetosh në një qytet, duke shkruar në Lulet e së keqes [Les Fleurs du Mal]: ​​“Mjerisht, forma e qytetit ndryshon më shpejt sesa zemra e njeriut”. Mjerisht, mjerisht!

Tani është radha jonë të pyesim se cilin lloj të Parisit po e lëmë si trashëgimi për të ardhmen. Si pjesë e projektit të Parisit të Madh [Grand Paris], qyteti aktualisht po përjeton ndryshimin rrënjësor nga një qytet i vogël me 2.2 milionë banorë të cilët jetojnë në 105 kilometra katrorë, në një metropol që përfshin 6.7 milionë njerëz me mbi 762 kilometra katrorë. Linjat e reja të metrosë janë ndërtuar dhe ato do të hapen së shpejti, duke ua mundësuar parisianëve që të lëvizin më shpejt se kurrë midis qytetit dhe periferisë së tij; gentrifikimi[1] është tashmë në proces në periferitë e tilla si Ponta [Pantin], Montrej [Montreuil] ose Obervilie [Aubervilliers], ndërsa çmimet e banesave pritet të rriten.

Tani më me fillimin e Olimpiadës, vëmendja e botës po kthehet kah Parisi – ose më mirë te periferitë e tij ku do të mbahen shumica e ngjarjeve. Dhe, nga lajmet kryesore që vijnë përpara Lojërave, është edhe ndikimi real që kjo ka te mijëra njerëz të pastrehë, punonjës seksi dhe migrantë të cilët largohen me autobusë nga kryeqyteti dhe kërcënohen me dëbim në përgatitjet e bëra për vizitorët dhe për kameramanët.

Ashtu si Balzacu dhe Baudelairei në kohën e tyre, shkrimtarët dhe gazetarët ia kanë kushtuar vëmendjen e madhe këtyre ndryshimeve, duke pyetur jo vetëm se si qyteti po ndryshon, por pse dhe kush përfiton. Dy librat e rinj të analizuar këtu – Zona: Historia alternative e Parisit [The Zone: an Alternative History of Paris] i Justinien Tribillonit dhe Parisi: Qyteti si komedi njerëzore [Paris: The City as Human Comedy ] i Eric Hazanit – janë disa ndër titujt e kohëve të fundit që merren me Parisin që kemi trashëguar dhe të ardhmen që mund të paramendohet për të.

E përbashkëta e tyre është përkushtimi për të parandaluar imazhin e Parisit si hapësirë ​​me kalldrëm që nuk merret me të rëndomtët, ku të gjithë janë elegantë dhe të veshur me stil dhe të cilët lexojnë filozofi teksa pinë duhan në një kafene. Parisi mund të ishte “vend përrallor”, shkruante Balzacu, por ishte gjithashtu vend me baltë, i ndyrë; karakteri Rastinjak në romanin e tij të vitit 1835, Xha Gorio [Le Père Goriot], i cili kur udhëtonte nga një pjesë e qytetit në tjetrin duhej të merrte “një mijë masa paraprake për të mos u zhytur me baltë … duhej të lustronte çizmet dhe t’i pastronte pantallonat në Pallatin Mbretëror [Palais-Royal]”.

Zgjerimi i njohurive tona për Parisin ishte misioni i Eric Hazanit, qëkur ai iu kthye shkrimit në moshën 66-vjeçare – pas karrierës si kardiokirurg pediatër (dhe si themelues i Shtëpisë Botuese La Fabrique). Hazani, i cili vdiq në qershor në moshën 87-vjeçare, u specializua në ndikimin e politikave represive të shtetit francez në formësimin e Parisit, duke i studiuar ato në një seri të librave, përfshirë këtu Shpikjen e Parisit [Invention of Paris, 2010], Historinë e barrikadës [A History of the Barricade, 2015) dhe Ecjen nëpër Paris [A Walk Through Paris, 2018] – në një udhëtim në këmbë përmes “rripit të kuq” të qyteteve komuniste [të dominuara nga komunistët në vitet 1920-‘80] në jug të qytetit.

Shekujt me trazira politike, rinovimet në shkallë të gjerë dhe me pakënaqësi e racizëm të kultivuar, bënë që klasat e rrezikshme të zhvendoseshin në periferi, ndërsa qendra e qytetit të pretendohej nga të pasurit. Për ta kuptuar Parisin, argumenton urbanisti Justinien Tribillon, “duhet të dëgjosh zërat e Zonës”, me çfarë ai nënkupton hapësirën midis qytetit dhe periferisë. Në rrëfimin e tij të interesant për jetën mes hapësirave të ndërmjetme të kryeqytetit për klasën punëtore dhe për emigrantët afrikano-veriorë nga mesi i shekullit XIX e deri në ditët e sotme, Tribillon rezulton të jetë pasardhës i denjë i Hazanit, megjithëse fryma e tij udhëheqëse është më shumë si ajo Victor Hugos sesa Honoré de Balzacut.

Zona ishte nënprodukt i Murit të Tierit [Enceinte de Thiers], një fortifikim ushtarak i ndërtuar në vitin 1841, i cili përfundimisht u zëvendësua nga unaza e sotme e njohur si periferia [periferique] e inauguruar më 1973. Libri i Tribillonit është historia e parë e thellë e kësaj hapësire ku u shfaq një shtresë e banesave të improvizuara. Të veçuar nga mungesa e pastërtisë apo moralit, zonalinjtë dhe shtëpitë e tyre “u bënë antonim i qytetërimit: në skajet e qytetit të dritave qëndronte humnera e tij, pylli i tij i errët, haleja e tij, toka e tij e askujt”. Qendra e bukur e qytetit të Haussmannit, me bulevardet e gjata elegante, ballkonet e zbukuruara dhe stolat prej hekuri të farkëtuar, nuk ishin për ta.

Aktivistët dhe nëpunësit civilë me qëllime të mira, u përpoqën të trajtonin problemin e Zonës gjatë gjithë shekullit XIX dhe shekullit XX. Në vitet 1940, një “rrip i gjelbër” u vendos si formë e “higjienës sociale”, duke lejuar klasat punëtore, të cilat jetonin në skaj të qytetit, që të përfitonin nga ajri dhe nga hapësira e pastër. Por, mbjellja e pemëve nuk është në vetvete akt dashamirësie; Tribilloni bindshëm tregon se rripi mund të jetë gjithashtu “tampon”, duke analizuar përmes Francës së Vishit rrënjët e politikës së gjelbër urbane të shekullit XX dhe XXI dhe ekuivalencën që ajo tërhoqi jo vetëm midis moralit dhe parandalimit të sëmundjeve, por edhe “prejardhjes, racës, gjakut dhe fesë”. Duhet vetëm të mbani mend ministrin e atëhershëm të Brendshëm, Nicolas Sarkozy, i cili më 2005 premtonte se do të pastronte periferitë me ujë me presion, për të parë se disa nga këto ide janë ende pjesë e jona.

Në vitin 1954, vetë unaza fillimisht u konceptua si pjesë e brezit të gjelbër, e destinuar për t’u veshur me pemë dhe trotuare. Por, roli i natyrës shpejt zuri vendin e dytë dhe periferia u shndërrua në “pronën më pak të dëshirueshme në të gjithë Parisin”.

Nga fundi i librit të Tribillonit, autori bën një shëtitje në një projekt strehimi – në një rrugë të quajtur “Onore de Balzak” [Rue Honoré de Balzac] – në periferinë veriore La Kurnëv [La Courneuve], në një nga lokacionet e Olimpiadës së ardhshme. Për Tribillonin, këto projekte – les grands ansambles, siç quhen – janë mundësi e dështuar për shtetin për të ndërtuar banesa sociale të cilat vërtet janë funksionale, ku ka shërbim transporti dhe rehati, duke ftuar një përzierje të klasave shoqërore; në vend të kësaj, qëllimet e mira të planifikuesve fillestarë u shkatërruan nga buxhetet e pakësuara dhe nga angazhimi për të ndërtuar jo më mirë, por më shpejt. Ajo që Tribilloni e quan “miti i së kuqes periferike”, nuk është rezultat i forcave të paepura shoqërore, por i ideologjisë dhe mungesës së vullnetit politik.

Aty ku Tribilloni skicon historinë e periferisë së jashtme të Parisit, Hazani na çon në një turne në qendrën historike. “Itinerari” parisian i Hazanit i Komedisë njerëzore, ciklit epik të romaneve, tregimeve dhe eseve të Balzacut për shoqërinë franceze të kohës së tij, na shpie nëpër Parisin e Monarkisë së Korrikut (e cila zgjati në 1830-1848, nën mbretin e fundit francez, Louis-Philippe,). Balzacu e njihte qytetin nga afër, pasi kishte jetuar në jo më pak se 11 rezidenca midis viteve 1829 dhe 1847, periudhë gjatë së cilës shkroi 91 pjesët e përfshira në Komedinë njerëzore.

Parisi i Balzacut lehtësisht mund të ndahet në dysh: Parisi i vjetër dhe ai i ri. Parisi i vjetër, shkruan Hazani, “përfshihet brenda harkut të Bulevardit të Madh [Grands Boulevards] … Kryesisht ende mesjetar në arkitekturën e vet dhe në rrëmujën e rrugëve të veta, ai pothuajse nuk ka ndryshuar që nga fundi i regjimit të vjetër”. Por, në kohën e tij, Balcaku pa një Paris tjetër të formësohej “midis bulevardeve dhe Murit të Tatimpaguesve [Mur des Fermiers généraux] që kufizonte qytetin … Shfaqja e rretheve të tëra, spekulimet financiare, ndërtimet e pasanikëve të rinj [nouveaux riches] – kjo është zhurma e sfondit të Komedisë njerëzore, një pamje e pakrahasueshme e formimit të një qyteti”.

Megjithëse ai nuk jetoi për të parë riparimin masiv të Haussmannit – vdiq tri vjet para se prefekti i Senës [Haussmann] të vinte në pushtet – Balzacu shkroi për zhvillimin e rretheve si Shose d’Onta [Chaussée-d’Antin], Nuvel-Aten [Nouvelle Athènes], zonat përreth Kishës Notre-Dam-de-Loret, San-Zhorzh [Saint-Georges] dhe Evropa [Europe], të cilat do të bëhen, siç shkruan Hazani, “zona më e gjallë, më argëtuese, më e pasura … më artistike e Parisit – dhe epiqendra e Komedisë njerëzore”. Hazani na tregon se Balzacu ka bërë një shëtitje në Murin e Tierit, në fillim të viteve 1840, duke vënë në dukje fortifikimet dhe rrugët e bukura në të dyja anët, “të bukura si pasqyra”, por nëse e ka parë Zonën, ai për këtë nuk tha asgjë.

Ajo që nxiti interesimin e Balzacut ishin shokët e tij parisienë, mosmarrëveshjet, grindjet dhe luftërat e tyre, lakmia dhe koprracia e tyre, pasioni dhe fatkeqësia e tyre. Askush kurrë nuk mërzitet në Parisin e Balzacut; të gjithë personazhet e tij janë, siç tha Baudelaire, “deri në dhëmbë të mbushur me fuqinë e vullnetit”. Në një rresht që nuk do të ishte i pavend në librin e Tribillonit, Balzacu e pa qytetin e Parisit si “fushë të gjerë të nxitur vazhdimisht nga stuhia e interesave” – asnjëherë si sfond i thjeshtë, sipas mendimit të Hazanit, por si pjesë e natyrshme e njerëzve të cilët jetojnë atje, po aq sa “fiziku, veshja apo psikologjia e tyre”.

Për lexuesit që nuk janë të njohur me të gjitha (ose ndonjë) veprat e Balzacut, libri mund të jetë i vështirë për t’u ndjekur; këta banorë të qytetit të tij bëjnë vals brenda dhe jashtë rrëfimit, duke u bashkuar dhe duke u shkëputur, duke u munduar dhe duke u fshehur, duke luajtur bixhoz dhe duke vdekur. Por, është udhëtim që ia vlen ta bëjmë, duke na kujtuar se përmes rinovimeve të tij të shumta, Parisi ka mbetur vend ku “secili pi duhan, gjithçka digjet, gjithçka shkëlqen, gjithçka flluskon, gjithçka flakëron, avullon, shuhet, ringjallet, xixëllon, vërshëllen dhe shpenzohet”. /Telegrafi/

_____________

[1] Procesi ku karakteri i një zone të varfër urbane ndryshohet prej njerëzve më të pasur që lëvizin aty, duke përmirësuar vendbanimet dhe duke tërhequr bizneset e reja, por duke zhvendosur dalëngadalë banorët aktualë.