Tyson Fury ka qenë buzë greminës në vitet e fundit, mirëpo një person i ka qëndruar gjithmonë pranë.
Ish-kampioni i botës në kategorinë e peshave të rënda në boks ishte dhënë pas alkoolit dhe drogës për më shumë se dy vite, duke pas edhe probleme mendore që nga triumfi kundër Wladimir Klitschkos në vitin 2015.
Mirëpo, derisa shumë prej miqësive të tij dështuan – duke përfshirë edhe raportin me xhaxhanë dhe ish-trajnerin Peter Fury, gruaja e tij, Paris, i qëndroi pranë.
Nëna e katër fëmijëve të tij (së shpejti do të bëhen pesë) është fotografuar rregullisht në afërsi të boksierit të pamposhtur.
Më poshtë jua sjellim disa të dhëna për gruan që ka arritur ta mbajë Furyn të lumtur.
Takimi mes tyre
Fury dhe Paris janë takuar për herë të parë para 12 vitesh në dasmën e një miku të përbashkët, kur ajo ishte vetëm 15 vjeçare.
Asokohe ajo njihej me emrin e vajzërisë, Paris Mulroy, ndërsa me boksierin kishin folur shkurt dhe ishin larguar. Mirëpo, ata u takuan sërish në Doncaster në ditëlindjen e 16-të të Parisit.
“Ai ishte i dashuri im i parë, sepse nuk më lejohej të kisha të dashur deri në moshën 16-vjeçare. Është i vetmi i dashur që kam pasur”.
“Tyson stërvitej në boks gjatë javës dhe vinte të më takonte në vikend. Gjithmonë gëzohesha kur mendoja se do ta takoja”, ka treguar gruaja e boksierit.
Lidhja dhe martesa
Çifti nisi lidhjen që në moshë të re dhe u martuan në vitin 2008 në qytetin e lindjes së Parisit, Doncaster. Në dasmë ishin të ftuar rreth 400 mysafirë, ndërsa ata fjetën bashkë për herë të parë pas martesës.
“Edhe pasi u fejuam, Tysoni flinte në një karvan në oborrin e shtëpisë së prindërve të mi, ndërsa unë flija brenda shtëpisë. Nuk kemi fjetur bashkë deri pas martesës”, ka rrëfyer gruaja e boksierit.
Fëmijët e tyre
Fëmija i tyre i parë, vajza Venezuela, ka lindur në vitin 2009. Dy vite më pas lindi djali Prince John James. I vendosur për ta mbajtur gjallë emrin e tij, boksieri e quajti fëmijën e tretë – djalin që lindi në vitin 2016 – Prince Tyson Fury II.
Fëmija i katërt, Valencia Amber, lindi në vitin e kaluar. Në vitin 2014, Paris ka pasur një abort, pikërisht në kohën kur xhaxhai tjetër i Furyt, Hughie, po vdiste në të njëjtin spital.
“Nuk kam folur kurrë më parë rreth kësaj, por gruaja ime Paris lindi një foshnje në muajin e gjashtë që ishte e vdekur në jetë një fëmijë. Më duhej të isha aty kur po e nxirrte fëmijën”.
“Ne ishim në njërën anë të spitalit, ndërsa xhaxhai im Hughie po vdiste në anën tjetër të të njëjtit spital”.
“Ishte fundi i vitit 2014 dhe mendoj se nuk kam menduar shumë për atë që ndodhi. Ia ndalova vetes mendimit për atë. Më duhej ta vendosja në pjesën e pasme të mendjes sime”, ka rrëfyer 30-vjeçari më herët për Daily Telegraph.
Në gusht të këtij viti, Tyson ka njoftuar se gruaja e tij është shtatzënë dhe në pritje të fëmijës së pestë të çiftit që do të jetë djali i tretë i tyre.
“Do të jetë një vit i shkëlqyer për familjen Fury… Jemi bekuar sërish – Zoti vërtet na ka bekuar përsëri”, kanë qenë fjalët e britanikut. /Telegrafi/