Policia e Kosovës njoftoi të enjten se ka konfiskuar disa para të falsifikuara, të cilat ishin duke qarkulluar në treg.
Sipas njoftimit, në njërin rast që ka ndodhur në Prishtinë një person ka njoftuar se një klient ka tentuar që të bëjë pagesë të derivateve me 50 euro të falsifikuara.
Monedha është konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar.
“Prishtinë 26.07.2023 – 15:50. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se një klient kishte tentuar të bëjë pagesë të derivateve me 50 € të falsifikuara. Monedha është konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin policor.
Ndërsa rasti tjetër ka ndodhur në Vushtrri, ku një punëtor në filialin bankar ka raportuar se gjatë deponimit të mjeteve të klientëve, në një bankomat kanë hasur në një kartëmonedhë prej 500 euro që dyshohet të jetë e falsifikuar.
“Vushtrri 26.07.2023 – 13:30. Një mashkull kosovar punëtor në filialin bankar ka raportuar se gjatë deponimit të mjeteve të klientëve, në një bankomat kanë hasur në një kartëmonedhë prej 500€ që dyshohet të jetë e falsifikuar”, bëhet e ditur tutje. /Telegrafi/