Site icon Telegrafi

Parashtresat e LSDM-së dhe Besës mund të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve

LSDM-ja deri tek KSHZ-ja ka dorëzuar 8 parashtresa, pesë nga të cilat janë në Komunën e Tearcës dhe tre në vendvotimet në Tetovë, të cilat gjenden në njësinë e gjashtë zgjedhore, ku bartës liste ishin Petre Shilegov nga LSDM dhe Vllatko Gjorçev nga OBRM-PDUKM, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Siç është e ditur, ankesat janë dorëzuar për vendvotimet në Tearcë për shkak të mospërputhshmërisë në fletëvotimet. Në disa vendvotime ka pasur më pak fleta të votimit se numri i deklaruar nga lista zgjedhore.
Sipas nenit 151 pika 3, të Kodit Zgjedhor, në vendet ku ka mospërputhje në numrin e fletëve të votimit, duhet të votohet përsëri.

Ndërsa ankesat e dorëzuara për Tetovën, kanë të bëjnë me agjitimin e votuesve në ditën e zgjedhjeve dhe për këtë ka edhe dëshmitar të gjallë.

KSHZ-ja të gjitha parashtresat duhet t’i rishikojë në seancë publike dhe të sjellë vendim në afat prej 48 orësh nga dorëzimi i ankesave. Seancën e tillë KSHZ-ja paralajmëroi se do t’a mbajë gjatë ditës së nesërme./Telegrafi/

Exit mobile version