Site icon Telegrafi

Parashikimi i zymtë i ish-komandantit të NATO-s për Vladimir Putinin – tregon se “si do të duket fundi i presidentit rus”

Ish-komandanti i NATO-s, admirali James Stavridis, parashikoi të shtunën se presidenti rus Vladimir Putin do të përfundojë si Nikolla II, Cari i fundit i Rusisë.

Në fillim të këtij muaji, media ruse raportoi se Putini, i cili ka qenë në pushtet për më shumë se dy dekada si president ose kryeministër, do të kandidojë sërish për president si kandidat i pavarur.

Pozicioni ka një mandat gjashtë vjeçar dhe lajmi për kandidaturën e liderit rus vjen pasi pushtimi rus i Ukrainës, i cili filloi në shkurt 2022, po bën gati dy vjet.

Të premten, media shtetërore ruse, Sputnik, citoi Stavridis për të treguar se “si NATO e njohu fuqinë ushtarake të Rusisë në fund të vitit 2023” në një postim në X, dikur Twitter, shkruan Newsweek, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu “Putini dëshiron të shkatërrojë Ukrainën”, thotë ministrja e Jashtme e Gjermanisë

Por Stavridis, një admiral në pension i marinës amerikane, i cili shërbeu si komandant suprem aleat i NATO-s nga viti 2009 deri në 2013, iu përgjigj Sputnik të shtunën në X dhe shkroi, “Ju nuk ua kujtuat ndjekësve tuaj që unë kam thënë gjithashtu këtë vit se: Putini vrau [Evgeny] Prigozhinin, se Putini është nxitësi më i madh për anëtarësimin e vendeve në NATO ndonjëherë dhe se ai mendon se është Stalini, por do të përfundojë si Nikolla II, Cari i fundit i Rusisë”.

Ndryshe, kujton Newsweek, Nicholas Alexandrovich Romanov, ose Nikolla II, u abdikua në vitin 1917 pas një sundimi autokratik 23-vjeçar. Nikolla II dhe familja e tij u ekzekutuan me pushkatim në vitin 1918.

“Putini vazhdon të mbajë pushtetin unitar në Rusi, por sigurisht zërat e pakënaqësisë janë të dukshme – nga rebelimi i Prigozhinit te qindra mijëra meshkuj të rinj në moshë ushtarake”, ka thënë Stavridis për Newsweek, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Putini thuhet se “privatisht” shprehet i hapur për një armëpushim në Ukrainë

“Me kalimin e kohës, unë do të thosha se shanset janë më të mëdha që Putini të përfundojë të rrëzohet si Nikolla II se sa që ai të përballet me një vdekje natyrale si Stalini. Ai duhet të negociojë një përfundim të fatkeqësisë së tij në Ukrainë që i lejon atij të shpallë fitoren dhe të mbajë Krimenë dhe një urë tokësore për në Rusi, përndryshe shanset kundër tij do të rriten në mënyrë të pashmangshme. Në këtë kuptim, ai tashmë e ka humbur luftën”.

Ndërsa Ukraina përgatitet për një dimër tjetër të ashpër luftimesh, Stavridis i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të ofrojnë më shumë ndihmë për vendin e Evropës Lindore.

SHBA ka qenë mbështetësi i dytë më i madh i Ukrainës që nga fillimi i luftës, pas Bashkimit Evropian (BE). /Telegrafi/

Exit mobile version