Nëse jeni duke kërkuar për një zgjedhje afatgjate për të investuar në aksione, miliarderi Bill Gates kërkon që të shmanget industria e naftës.
Derisa bota po largohet nga karburantet fosile dhe po vendos në përdorim burimet e pastra e të rinovueshme të energjisë, gjigantët e naftës që kanë dominuar tregjet për më shumë se një shekull mund të jenë në telashe.
Kështu është shprehur miliarderi Gates në Samitin e Klimës COP26 që është mbajtur në Glasgow, përcjell Telegrafi.
“Disa nga këta gjigantë do të zhvlerësohen. Ju e dini, 30 vjet nga tani, disa prej këtyre kompanive të naftës do të vlejnë pak”, është shprehur Gates.
Kompanitë si ExxonMobil, BP dhe Royal Dutch Shell kanë pësuar rënie të çmimeve të aksioneve për gjatë pesë viteve të fundit, veçanërisht në fillimin e pandemisë COVID-19, e cila përgjysmoi kërkesën për naftë.
ExxonMobil si prodhuesi më i madh i naftës dhe gazit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë vitit të kaluar ka pësuar humbje prej 20 miliardë dollarësh. Kompania ende ka vlerë të tregut prej 275 miliardë dollarësh, por vendet si SHBA-ja që po i ndryshojnë politikat e tyre rreth energjisë – për të luftuar ndryshimet klimatike dhe rritja e industrisë së veturave elektrike – investitorët po shprehin skepticizëm për të ardhmen e rezervave të naftës.
“Kompanitë e naftës që i drejtojnë bizneset e tyre drejt formave të energjisë së rinovueshme e kanë një mundësi për të mbijetuar”, ka shtuar Gates.
Në Glasgow, ai përmendi hidrogjenin me nivel të ulët të karbonit, i cili kur digjet lëshon më pak karbon në ajër sesa gazrat serrë. /Telegrafi/