Telegrafi

Parashikimet për “Oscars 2020” e renditin filmin “Zana” në listën e filmave të mundshëm për t’u nominuar

Tabloidi i famshëm ndërkombëtar, “The Holywood Reporter”, ka sjell së fundmi një listë me parashikimet për nominimet e “Oscars 2020”.

Këto parashikime, të cilat do të azhurnohen rregullisht, pasqyrojnë përshtypjet e fundit të Scott Feinberg (nga shfaqjet), informacione në dispozicion të publikut (datat e publikimit, zhanri), konsiderata historike, etj.

Scott Feinberg është një nga kolumnistët e çmimeve më me përvojë, të besuar dhe të lexuar në Hollywood, duke përdorur aftësitë e tij për shkrim dhe intervistim, njohuri të historisë së showbiz-it dhe parashikimeve të sakta të përvitshme për ngjarjet e mëdha të çmimeve si “Oscar”, “Emmy” dhe “Tony”.

Scott Feinberg (Foto: Cindy Ord/Getty Images/Guliver)

Teksa ka prezantuar kategoritë me parashikimet për secilin çmim, Feinberg, ka shpallur parashikimet e tij edhe për kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”, atje ku edhe Kosova propozon çdo vit nga një projekt kinematografik.

Në listën e 11 filmave të parashikuar si më të mundshmit për t’u nominuar për këtë çmim, kolumnisti parasheh edhe filmin “Zana” të regjisores Antoneta Kastrati, që është propozimi i sivjetmë i Kosovës për në “Oscars 2020”.

Lexo po ashtu Filmi "Zana" - shpresa e Kosovës këtë vit drejt "Oscars", regjisorja Antoneta Kastrati flet për pritshmëritë dhe sukseset

Kjo është lista e 11 filmave që Scott Feinberg parashikon që mund të përfundojnë të nominuar në kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”:

System Crasher (Gjermania)
And Then We Danced (Suedia)
Honeyland (Maqedonia Veriore)
Those Who Remained (Hungaria)
Beanpole (Rusia)
Monos (Kolombia)
Gully Boy (India)
Corpus Christi (Polonia)
Weathering with You (Japonia)
Incitement (Izrael)
Zana (Kosova)

Ndërkohë, pesë filmat me mundësitë më të mira të nominimit për këtë çmim janë:

Parasite (Korea Jugore)
Pain and Glory (Spanja)
Les Miserables (Franca)
Atlantics (Senegali)
Tel Aviv on Fire (Luksembourgu). /Telegrafi/