Debutimi i Shqipërisë në finalet e një Evropiani u pasqyrua gjerësisht nga mediat botërore dhe emëruesi i gjithë artikujve ishte një: heroike!
“Mund të jesh hero edhe kur humbet!” Me këtë fjali e nis analizën e gjatë prestigjiozja italiane Gazzetta Dello Sport. Në artikull veçohet se gabimet i kushtuan humbjen Shqipërisë, e cila edhe pse me 10 lojtarë, mund të kishte barazuar me Gashin, 3 minuta nga fundi.
“Shqipëria rrezikon të eliminohet që me Francën në takimin e ardhshëm, por kjo pak rëndësi ka për tifozët kuqezinj, që paqësisht duartrokitën heronjtë e tyre”, thuhet më tej në artikull.
“De Biasi e nis keq!”. Me këtë titull nis pasqyrimin e ndeshjes Corriere, që shton më pas se shqiptarët vërtet ishin inferiore teknikisht, por moralisht ishin më lartë se kundërshtari dhe këtë e treguan edhe kur ishin me 10 lojtarë, kur iu afruan dy herë barazimit.
“Shqipërisë me 10 lojtarë fati i mohoi një pikë historike në debutimin e vet në një Evropian”, nis artikullin e vet BBC, që pas analizës së shkurtër mbi ndeshjen, ndalet tek fakti që në fushë ishte një derbi shqiptarësh, referuar këtu numrit të madh të lojtarëve me origjinë shqiptare që luajnë për Zvicrën.
DailyMail, veç rezultatit dhe asaj që u pa në fushë, veçon duelin Xhaka-Xhaka dhe paraqitjen e nënës së tyre në shkallët e stadiumit të Lensit, transmeton TCH.
“Elmaze Xhaka, nëna e Granitit dhe Taulantit tregoi mbështetjen e saj për të dyja skuadrat duke veshur një fanellë me të dy flamujt”, shkruan tabloidi britanik.
“Shqipërisë i shpëton një barazim”. Kështu e titullon analizën e vet spanjollja Marca, që në analizën e vet thotë se përvoja dhe emocionet mposhtën kuqezinjtë.
Edhe Goal.com ndalet tek dueli mes vëllezërve Xhaka dhe deklaratës së Granitit që tha se ishte e vështirë të luajë kundër vëllait në fushë.