Numri ditor i rasteve të infektimit me coronavirus në Hungari mund të arrijë në 13,000 dhe numri i vdekjeve në 200, paralajmëroi ministri hungarez i Burimeve Njerëzore, Miklos Kasler.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ai ishte i ftuar në një radio lokale mbrëmë vonë, në një kohë kur lloji shumë i transmetueshëm i coronavirusit, Omicron, po ndikon në një valë të re infeksionesh.
Kasler, i cili është gjithashtu përgjegjës për kujdesin shëndetësor, tha se qeveria hungareze po konsideronte t’i ofronte popullatës një dozë të katërt të vaksinës kundër Covid-19.
Megjithatë, ministri theksoi se nevojiten vlerësime shtesë të kohëzgjatjes së imunitetit pas dozës së tretë.
Të premten, më 7 janar, Hungaria raportoi 6,524 raste të tjera të infeksionit, ndërsa numri i vdekjeve nga Covid-19 arriti në 39,780.
Pak më shumë se gjashtë milionë njerëz në Hungari morën të paktën dy doza të vaksinës kundër Covid-19 dhe 3.217 milionë morën dozën e tretë. /Telegrafi/