Telegrafi

Paralajmërimi i Vuçiqit për ndalimin e eksportit të armëve, Shasha: Presidenti serb presion Perëndimit për Kosovën

Demush Shasha, drejtor i Institutit EPIK

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi sot se po shqyrton mundësinë që javën e ardhshme të nënshkruajë një vendim për ndalimin e eksportit të mëtejshëm të municionit nga Serbia, si dhe të çdo arme.

Ndaj këtij paralajmërimi ka reaguar drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, i cili ka thënë se me këtë Vuçiq po i bën presion Perëndimit për Kosovën.

“Duke i bërë presion Perëndimit mbi Kosovën, Vuçiq sapo ka paralajmëruar Perëndimin se ai mund të ndalojë eksportin e armëve dhe municioneve (duke aluduar në Ukrainë) javën e ardhshme”, ka shkruar Shasha në një postim në Twitter, transmeton Telegrafi.

Shasha tha se “kjo është ajo që është Ukraina për të [Vuçiqin]. Një mjet pazaresh”.

Vuçiq, duke thënë se po shqyrton mundësinë e nënshkrimit të një vendimi për ndalimin e eksportit të mëtejshëm të municionit nga Serbia, si dhe të çdo arme “sepse interesi jetik kombëtar i Serbisë është i kërcënuar”, ai tha se “çdo gjë duhet të përgatitet në rast të agresionit ndaj Serbisë”.

“Serbia nuk po përgatitet për asnjë luftë, por është e gatshme të shpëtojë jetën e njerëzve të saj”, tha Vuçiq.

Lexo po ashtu Vuçiq thotë se do të kërkojë seancë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit

Ndryshe, Vuçiq deklaroi sot se do të kërkojë një bisedë me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe më pas, një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të situatës në Kosovë.

Ai tha se do të kërkojë që Këshilli i Sigurimit të urdhërojë KFOR-in që – bazuar në detyrimet e Rezolutës 12 44 – të parandalojë çdo veprim të mëtejshëm nga strukturat e sigurisë të Kosovës, që “kërcënon jetën, lirinë, sigurinë dhe mbijetesën e serbëve në Kosovë”, për të kryer “çmilitarizimin e të gjitha formacioneve të armatosura”. /Telegrafi/