Edhe deputeti i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Haxhi Avdyli ka reaguar pas paralajmërimeve të Ministrisë së Shëndetësisë për reduktim të buxhetit për barna.
Avdyli fajin për këtë gjendje e ka lënë te qeveria paraprake.
“Buxheti i aprovuar për vitin 2021 kishte reduktuar shumë projekte infrastrukurore e investime tjera me qëllim që ky buxhet të ridestinohej në luftimin e pandemisë. Por lajmi i sapo publikuar nga MSH flet se buxheti për barna për këtë vit ishte përgjysmuar”, tha ai, përcjell Telegrafi.
“Nga kumtesa e Msh merret vesh se Buxheti i alokuar për Programin farmaceutik të MSh-së dedikuar për furnizim të institucioneve shëndetësore me barna dhe material shpenzues nga Lista Esenciale për vitin 2021 është 5,5 milion euro, ndërsa ai i vitit 2020 ka qenë 11,5 milion euro”.
Deputeti i Listës Guxo thotë se qytetarët do ta vuajnë më së shumti mungesën e barnave esenciale edhe për shkak të krizës që ka shkaktuar pandemia.
“Kjo tregon që kriza do jetë e dyfishtë sepse qytetari jo vetëm që do vuajë pasojat ekonomike të pandemisë, por do rrisë shpenzimet për blerjen e barnave. Shumë qytetar kanë mbetur pa punë, bizneset s’kanë punuar apo punuar pak, e Covidi por edhe sëmundjet tjera kanë shtuar shpenzimet për ta. E shteti në vend që rrisë buxhetin për përballimin e shpenzimeve mjekësore duke lënë disa projekte si autostradat, e shpenzime qeveritare, ka reduktuar edhe buxhetin për barna që normalisht do duhej të rritej”.
Haxhiu thotë se në 6 mujorin e fundit të vitit, Kosova rrezikon të mos ketë asnjë qindarkë për barna e furnizime mjekësore.
“Sipas këtij buxheti qytetarëve tanë do iu ofrojmë vetëm muret, shtretërit e spitaleve dhe kujdes shëndetësor ,por me të gjitha shpenzime të dalura xhepi tyre. E mos të flasim për ndonjë ndihmë financiare për mbulimin e shpenzimeve te trajtimeve shtëpiake për Covid”.
Deputeti i shumicës ka paralajmëruar se nëse qeveria e re nuk merr masa që ta përmirësojë situatën, vendin e pret kolapsi shëndetësorë dhe dështimi si shtet.
“Qeveria e re duhet angazhohet maksimalisht që ta përmirësojë këtë situatë përmes veprimeve konkrete urgjente që të sigurohet furnizim i qëndrueshëm i institucioneve shëndetësore të nivelit parësor (QKMF-ve) dhe spitalet me barna e materiale tjera shpenzuese duke gjetur burime financiare emergjente por edhe duke rishikuar sa më shpejtë buxhetin e pakuptimtë të aprovuar në fund vitin e 2020. Ose na pret kolapsi si sistem shëndetësor, dhe dështimi si shtet”, ka shkruar më tej Haxhi Avdyli./Telegrafi/