Kryeministri Albin Kurti ditë më parë në Samitin e Procesit të Berlinit paralajmëroi se nga 1 janari i vitit 2025 qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës do të mund të hyjnë në Kosovë vetëm me letërnjoftim, ndonëse ky shtet për shkak të Republikës Serbe nuk ka ratifikuar marrëveshjen për lëvizje me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.
E paralajmërimi i Kurtit për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës është vlerësuar nga dërguari Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Kështu njofton ambasadori gjerman në një postim në platformën X.
“I dërguari i Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin vlerësoi vendimin e Kosovës për të lejuar udhëtimin pa viza për qytetarët—një hap pozitiv në frymën e Procesit e Berlin! Ndërkohë, bllokada e Milorad Dodik për udhëtimin pa viza për qytetarët tregon mospërfillje për lirinë e lëvizjes së popullit të tij dhe progresit”, shkruan ambasadori gjerman.
Kurti gjatë të hënës në Berlin dha lajmin e mirë për qytetarët e Bosnjës, ku tha se nga janari i vitit të ardhshëm do të mund të udhëtojnë me letërnjoftim në Kosovë.
“Unë kam vendosur të përfundoj pritjen. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës do të lejojë unilateral lëvizjen e lirë për mbajtësit e ID-së nga Bosnja dhe Hercegovina”, ka thënë Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve në Samitin e Procesit të Berlinit.
Ndryshe, Kosova ka nënshkruar marrëveshje për liri të lëvizjes vetëm me letërnjoftim me pesë vende të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Të njëjtat i ka miratuar në Kuvendin e Kosovës, mirëpo Bosnje dhe Hercegovina nuk e ka miratuar të njëjtën me Kosovën për shkak të pengesave të shfaqura nga entiteti serb brenda Bosnjës.
Kosova ka vendosur regjim të vizave ndaj Bosnjës në vitin 2014, duke vendosur reciprocitet. /Telegrafi/
🇩🇪 WEB envoy @ManuelSarrazin praised 🇽🇰’s decision to allow visa-free travel for 🇧🇦 citizens—a positive step in the spirit of the #BerlinProcess!
Meanwhile, @MiloradDodik’s blockade of visa-free travel for 🇽🇰 citizens shows disregard for his people’s freedom of movement +progress— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) October 16, 2024