Sipërmarrësi shqiptar në Zvicër, Kristian Kabashi në eventin Startup Grind Prishtina ka thënë se Inteligjenca Artificiale do të rrezikojë punën e specialistëve, dhe që tanimë në treg ka ardhur koha e ‘gjeneralistave’, apo njerëzve që kanë njohuri në shumë fusha dhe jo vetëm në një fushë specifike.
“Kompanitë gjithmonë kanë kërkuar specialistë, dhe ende vazhdojnë të kërkojnë specialistë, por, jemi duke parë se çfarë po ndodhë me Inteligjencën Artificiale, kryesisht brenda këtyre 12 muajve, ata që kanë qenë punëtorë ‘white collars’, apo specialistët, më vjen keq ta them por do të zëvendësohen, do të rrezikohen më shumë nga Inteligjenca Artificiale. Derisa ai që është gjeneralist, ose i gjithanshëm së bashku me Inteligjencën Artificiale mund të krijojë shumë më shumë ‘output’ se një specialist”, ka thënë ai.
Kabashi është bashkëthemelues i kompanisë fintech, Numarics dhe që bazën kryesore të operimit e ka në Zvicër.
Kjo kompani fintech merret me transformimin e fushës së administrimit të biznesit, duke përfshirë kontabilitetin, taksat e auditim.
Numarics ka krijuar një platformë dhe një aplikacion dhe në kuadër të aplikacionit njerëzit mund të qasen në ekspertët e kompanisë.
Kompania gjithashtu ka hapur edhe një zyrë në Kosovë, gjegjësisht në Prishtinë me të cilën operon me 34 punëtorë.
Klientët që ka në menaxhim Numarics janë në Zvicër.
Që disa profesione do të jenë në rrezik nga Inteligjenca Artificiale ka qenë diskutim tash e disa muaj nëpër medie të shumta, e sidomos me lansimin e platformës ChatGPT.
Disa thonë se Inteligjenca Artificiale do të zhdukë disa profesione të caktuara e disa thonë se kjo teknologji do të ndihmojë në përshpejtimin apo lehtësimin për të kryer një punë të caktuar. /Telegrafi/