Site icon Telegrafi

Paralajmërimi i frikshëm i shkencëtarëve: Niveli i ujit në det po rritet – nga New Yorku deri në Shangai do të ketë përmbysje

Paneli Ndërkombëtar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), ka publikuar raportin sa i përket ndryshimeve klimatike në të cilin theksohet se niveli i ujit në det do të rritet shumë më herët sesa që është pritur të ndodhë në vitin 2100.

Akullnajat në Himalaje e deri në Antarktidë janë duke u shkrirë me shpejtësi të madhe, kështu qytetet si New Yorku dhe Shangai pritet të përmbysen nga uji, transmeton Telegrafi.

Në këtë raport kanë punuar më shumë se 100 shkencëtarë nga 36 vende, e bëhet fjalë për tre raportet e fundit të veçanta të IPCC-së pas atij të tetorit të vitit të kaluar, i cili ka treguar se kemi kohë deri më 2030 nëse arrijmë që ngrohjen globale ta mbajnë nën 1,5 gradë celsius.

“Ky raport është unik. Në të për herë të parë janë analizuar të dhënat nga vendet më të largëta të botës: duke filluar nga malet më të larta deri te ato rajone thellë në oqean”, ka deklaruar Ko Baret, nënkryetar i IPCC-së.

“Kemi zbuluar sesi në zonat e largëta po ndodhin ndryshimet e dukshme dhe atë falë ngrohjes globale, për të cilin fajtorët kryesorë janë njerëzit”, ka shtuar ai.

Megjithatë, shkencëtarët konsiderojnë se njerëzimi ka ende zgjidhje, më saktësisht mund të vendosin nëse urgjentisht do ta ndalin varësinë globale nga derivatet fosile.

“Porosia është se kemi zgjidhje. E ardhmja nuk është shkruar në gurë”, ka deklaruar oqeanografi Michael Meredit.

Të dhënat e IPCC-së tregojnë se planeti ynë me shpejtësi të madhe po nxehet, gjë që vërehet më së shumti tek shkrirja e akullnajave në Grenlandë e deri në Antarktidë, dhe se niveli i detit deri në fund të shekullit sipas të gjitha gjasave do të jetë dukshëm më i madh sesa që është paraparë.

Pllaka e akullt në Grenlandë që mund të shkrihet, mund të rrit nivelin e ujit në det për gjashtë metra. /Telegrafi/

Exit mobile version