Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë parakaluar sot së bashku me Policinë e Kosovës në sheshin “Nëna Tereza”, në Prishtinë, për nder të 14 vjetorit të pavarësisë.
Parakalimi i tyre u përcjell nga qytetarë të shumtë, ndërsa presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti deklaruan se është nder për ta që të jenë para ushtarëve e policëve të Kosovës, transmeton Telegrafi.
14 vjetori i shpalljes së pavarësisë është shënuar me aktivitete të ndryshme, ku aktivitetet kanë filluar në ora 08:00 të mëngjesit.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 deputet nga gjithsej 120, Kuvendi i Kosovës shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Deklarata e pavarësisë së Kosovës dhe shpallja e pavarësisë ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa president atë kohë ishte, Fatmir Sejdiu. /Telegrafi/