Site icon Telegrafi

Parajsat Fiskale dhe kompanitë offshore – gjithçka që duhet të dini

Qindra miliardë dollarë të ardhura mungojnë çdo vit në arkat e shteteve në mbarë botën për shkak të fenomenit offshore.

Por si funksionon praktika e parasë sekrete dhe kompanitë guaska të ekspozuara së fundmi nga Pandora Papers?

Parajsat Fiskale janë shtete ose vende me taksa shumë të ulëta ose pa taksa për korporatat, gjë që lejon të huajt të hapin lehtësisht biznese atje. Ato zakonisht nuk zbulojnë për publikun të dhënat e kompanive dhe pronarëve. Ato janë të shpërndara në të gjithë botën, si për shembull në Ishujt e Virgjër Britanikë, Singapor, Bermuda, Ishujt Kajman, Maltë dhe Panama.

Përfitimet nga këto parajsa janë se krijohen lehtë, ligjet fshehin pronarët që qëndrojnë pas tyre dhe ka pak ose aspak taksa.

Siç shpjegon shpjegon Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues (ICIJ), kompanitë offshore apo guaskë janë të krijuara në një Parajsë Fiskale që ekzistojnë zakonisht vetëm në letra, nuk kanë punëtorë me kohë të plotë dhe as zyra. Për shembull, një zyrë e vetme në Ishujt Kajman shërben si adresë e rreth 19 mijë kompani të tilla. Pronarët nuk zbulohen në dokumente, ata paguajnë një shumë për zyrtarë vendas që shërbejnë si financierë, avokatë dhe drejtorë pa zbuluar pronarin e vërtetë.

Lexo po ashtu Pandora Papers hap ‘kutinë e sekreteve’, kush janë disa nga 330 zyrtarët publikë në të gjithë botën që kanë ‘fshehur pasurinë e tyre’?

Këto kompani mund të zotërojnë para të gatshme, shtëpi luksoze, pronë intelektuale, biznese dhe asete të tjera. Gjithashtu, ato luajnë një rol për qarkullimin e parave të pista në gjithë botën. Këto përdorin shpesh vakuumet ligjore, gjë që shihet si jo etike por nuk shkon kundër ligjit.

Biznesmenët, politikanët, trafikantët dhe mafiozët janë ata që përdorin këto kompani për të fshehur identitetet dhe aktivitetet e tyre. Bizneset nga ana tjetër i përdorin shpesh herë parajsat fiskale për të shmangur taksat apo për të fshehur përfitimet.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Pandora Papers

Shumë qeveri kanë arritur të depërtojnë në sekretet e kompanive offshore dhe mund të sigurojnë informacione për llogaritë bankare të shtetasve të tyre. Megjithatë vendet në zhvillim bëjnë kërkesa individuale ndaj zyrtarëve në parajsat fiskale, të cilët në shumicën e rasteve refuzojnë të bëjnë publikë regjistrat e kompanive.

Sipas ICIJ, 5.6 trilionë dollarë deri në 32 trilionë dollarë mund të fshihen në parajsa fiskale. Rrjedhja më e fundit e informacionit nga Pandora Papers përfshin 6.4 milionë dokumente, rreth tre milionë imazhe dhe më shumë se një milionë e-maile, e rreth gjysmë milioni tabela të bilancesh.

Të dhënat ekspozuan sesi më të pushtetshmit në shkallë botërore – përfshirë më shumë se 330 politikanë nga 90 vende – përdorin kompanitë offshore për të fshehur pasurinë e tyre. /Euronews/Telegrafi/

Exit mobile version