Studiuesi Bajram Mjeku, në një shkrim të tij merret me një raport sekret të Ministrisë së Punëve të Brendshme e Shqipërisë, të datës 24 nëntor 1968, ku përmenden kampet ku dërgoheshin shqiptarët që kishin ikur nga Jugosllavia.
Në anën tjetër, edhe regjimi jugosllav, për t’i mbajtur nën kontroll emigrantët shqiptarë krijoi dy kampe, njërin në Vushtrri, e tjetrin në Viti. Të gjithë emigrantët shqiptarë që vinin nga Shqipëria, dërgoheshin aty.
Shkrimin e Mjekut mund ta lexoni të plotë më poshtë.
“Menjëherë mbas Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptarët e copëtuar mbetën në kampin komunist, nisi vala e emigrantëve shqiptarë drejt Kosovës, ndërkohë që edhe kosovarët mësyen të kërkojnë shpëtim në Shqipërinë komuniste!
Terrori komunist në Shqipëri ndikoi që qindra familje shqiptare t’ia mësyejnë Jugosllavisë komuniste për të shpëtuar kokën, të vetëdijshëm se do t’i priste fat i keq. Kishin qëllim që përmes Jugosllavisë të migronin në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Emigrantët shqiptarë ishin njerëz që i takonin krahut ushtarak dhe organizatave të djathta politike, të cilët kishin luftuar komunizmin me armë, por fati ua ktheu shpinën.
Regjimi jugosllav, për t’i mbajtur nën kontroll emigrantët shqiptarë krijoi dy kampe, njërin në Vushtrri, tjetrin në Viti. Të gjithë emigrantët shqiptarë që vinin nga Shqipëria, sistemoheshin në këto dy kampe, në mënyrë që të kontrolloheshin rreptë nga Shërbimi Sekret jugosllav OZNA, i cili më vonë ndërroi akronimin në UDB.
Shumica e emigrantëve shqiptarë u larguan nga Kosova në fillim të viteve pesëdhjetë, të vetëdijshëm se Jugosllavia nuk ishte vendi i duhur për të vazhduar jetën. Shqiptarët e Kosovës bënë gjithçka që është e mundur, që t’i ndihmonin vëllezërit e tyre, megjithëse ishin të varfër dhe kontrolloheshin rreptë nga policia dhe Shërbimi Sekret jugosllav.
Gjatë kohës sa familjet e emigrantëve shqiptarë jetonin në Vushtrri, për t’u identifikuar më mirë nga strukturat e Shërbimit Sekret jugosllav quheshin ‘Albanezi’. Në kampin e Vitisë, midis shumë fëmijëve që u lindën në këtë kohë ishte edhe poeti i njohur Skënder Sherifi, djali i Shpend Sherifit, një luftëtar i Rezistencës antikomuniste në Veri të Shqipërisë dhe mik i kolonel Muharrem Bajraktarit, i cili më vonë bashkë me familjen migroi në Belgjikë.
Familjet shqiptare që migruan në Jugosllavi, gjithë kohën jetuan në ankth.
Para pak ditësh, nga Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë, më ra në duar një raport i Degës së Veçantë të Sigurimit të Shtetit të Shqipërisë komuniste i gjatë 35 faqe me titull: ‘Mbi gjendjen politike në Kosovë e viset tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi dhe detyrat e organeve tona’. Raporti mban datën 24 nëntor, 1968, më saktë një muaj pas lejimit të përdorimit të flamurit kombëtar në Kosovë.
Në raport flitet për shqiptarët nga Kosova që ikën në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Në të shkruhet edhe për keqtrajtimin e tyre në kampet shqiptare të internimit. Keqtrajtimi kundër shqiptarëve nga Kosova shkoi deri aty, sa edhe operativët e Sigurimit të Shtetit nisën të rebelohen. Në raportin e klasifikuar ‘tepër sekret’ ata shkruajtën: ‘Gjendja dhe trajtimi i emigracionit politik kosovar dhe viseve tjera në Jugosllavi jo gjithmonë ka qenë i drejtë. Këta s’janë trajtuar si shqiptarë e patriotë, por janë mbajtur në kampet e Çermës dhe Semanit. Vetëm atëherë kur në Jugosllavi filloi të ndryshonte gjendja e kosovarit me heqjen e Rankoviqit, Qeveria shqiptare mori disa masa dhe prishi Semanin. Çerma vazhdon ende të ekzistojë. Është turp që akoma djem prej Kosove mbahen atje. Në rast se udhëheqja e Partisë e di këtë gjendje, ne nuk jemi me të’, thuhet në raportin e nënshkruar nga zëvendësministri i Brendshëm, Rexhep Kolli.
Operativët e Sigurimit të Shtetit duken të jenë trimëruar pas lejimit të flamurit kombëtar shqiptar në Kosovë. Në raport jepen shenja se regjimi komunist nisi të zbuste kursin politik karshi Kosovës”, ka shkruar Mjeku. /Telegrafi/