Site icon Telegrafi

Paradite vodhi tre mijë euro në filialin e një banke në Prizren, pasdite policia e arreston dhe ia merr paratë

Foto ilustruese

Sot në rrugën “Remzi Ademi” në Prizren ka ndodhur një grabitje në filialin komercial “RIA”.

Lajmin e konfirmoi Policia e Kosovës përmes një raporti, ku thekson se grabitësi duke përdorur forcën ka arritur të grabisë të holla në vlerë rreth 3000 euro, dhe duke përdorur forcën ka lënduar punëtoren e kësaj agjencie.

Policia thekson se i dyshuari është turk me inicialet M.B, dhe se ishte duke jetuar brenda një furgoni. Fillimisht, policia i kishte gjetur në rrugë 1200 euro, e të tjerat pas hetimeve në furgon.

“Policia në Prizren sapo ka pranuar informacionin ka vepruar menjëherë dhe duke mbledhur informacione nga vendi i ngjarjes dhe nga qytetarët ka arritur të bëje identifikimin e personit të dyshimtë i cili ka kryer veprën penale të grabitjes. Sapo policia ka kryer shikimin e vendit të ngjarjes dhe duke ndërtuar profilin e grabitësit në bazë të informacioneve, ka ndërmarrë një operacion kërkimi në zonën përreth duke kontrolluar çdo rrugë dhe zonë të dyshimtë dhe gjatë kërkimit ka gjetur një pjesë të parave rreth 1200 euro në rrugë, ndërsa pjesën tjetër i dyshimti e kishte me vete”, thuhet në raport.

Ndërkaq, shton policia, rreth orës 12:30 minuta policia duke u bazuar në informatat inteligjente dhe nga qytetarët ka arritur të lokalizoj vendin ku qëndronte i dyshimti dhe gjatë kontrollimit të një furgoni tip mercedes transporter, ka zbuluar se i dyshimti ishte brenda së bashku me sasinë tjetër të parave të grabitura.

“Ky furgon ishte i parkuar në afërsi të tregut të gjelbër në Prizren dhe në bazë të informatave të marra i dyshimti kishte disa ditë që qëndronte i strehuar aty. Policia më këtë rast ka arritur ta identifikojë të dyshimtin i cili ishte shtetas me kombësi Turke me iniciale M.B i lindur në vitin 1986. Në lidhje me këtë rast është informuar prokurori i Shtetit dhe me vendim të prokurorit i dyshimti ndalohet në mbajtje në afat prej 48 orë, për të zhvilluar hetimet në lidhje me rastin e grabitjes. Paratë e gjetura të cilat ishin grabitur dhe dokumentet janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, përfundon raporti.

Exit mobile version