Site icon Telegrafi

Paradite iu jepte mësim në fakultet, pasdite i kishte bashkëlojtarë – Gjonbalaj flet për periudhën kur i bënte dy punë

Ish-futbollisti i njohur kosovar tashmë profesori universitar, Malsor Gjonbalaj, ka rrëfyer një histori interesante në podcastin “Arena e Yjeve” në Telegrafi, kur në kohën sa ishte aktiv ai ligjëronte në fakultet studentët të cilët në një pjesë tjetër të ditës i kishte bashkëlojtarë.

“Unë në Universitetin e Prishtinës punoj prej vitit 2006/2007 viti akademik, është një periudhë goxha e gjatë, nganjëherë po u them se jam veteran i arsimit”.

“Sigurisht janë vite të shumta dhe studentë të shumtë të cilët kanë kaluar dhe ka qenë një periudhë në të cilën të njëjtën kohë iu kemi ligjëruar në fakultet pastaj kanë qenë bashkëlojtarë, futbollistë kundërshtarë, gjyqtarë”.

“Por ka pas raste kur ka qenë edhe ndihmëstrajner. Paradite ka vijuar ligjëratat kurse pasdite kam shkuar në stërvitje, por kurrë nuk i kam ngatërruar këto gjëra, asnjëherë dhe këtë mund ta argumentoni dhe ta pyesni kë doni”.

Gjonbalaj shpjegon se ai asnjëherë gjatë jetës së tij nuk e ka ngatërruar aspektin personal nga ai profesional, duke treguar se gjithmonë ka pasur një qasje korrekte ndaj personave të tjerë.

“Kurrë në jetë unë nuk i kam thënë ndonjë trajneri nuk po din, as publikisht as në katër sy as nuk i kam thënë ndonjë bashkëlojtarit kur trajneri nuk po din”.

“Sot e asaj dite unë nuk them për njerëz nuk po din sepse nuk e kam zakon as t’i nënçmoj as t’i diskualifikoj në aspektin njerëzor sepse dija është krejtësisht personale”.

“Të mos dish tek e fundit nuk është marre sepse mësojmë, marre është të mashtrosh, të vjedhësh, të gënjesh, të abuzosh, të kurdisësh ndeshje, ta fyesh dikë, mos me qenë korrekt, mos ta bësh punën profesionalisht”, deklaroi ai.

Nëse dëshironi që ta ndiqni podcastin e plotë të dy gazetarëve Lavdim Pireva dhe Romak Zeqiri me mysafirin e ftuar, më poshtë gjeni linkun e YouTube./Telegrafi/

Exit mobile version