Site icon Telegrafi

Paraburgim prej 48 orëve për Bekteshin, ish-drejtorët Trajkovski dhe Maksuti, si dhe 11 persona tjerë të dyshuar për zjarrin në Koçan

Gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar “paraburgim afatshkurtër” prej 48 orësh për ish-ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ish-drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut Goran Trajkovski, ish-drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti, si dhe 11 persona të tjerë të dyshuar për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan.

“Gjykata në Koçan pranoi kërkesën e prokurorisë për masën e paraburgimit afatshkurtër për të 14 të dyshuarit. Është shqiptuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 48 orësh”, njoftoi mëngjesin e sotëm për AIM nga Gjykata Themelore e Koçanit.

Siç shtojnë ata, Gjykata është duke vepruar sipas propozimeve të Prokurorisë, lidhur me zjarrin në “Pulse” në Koçan, ku 59 persona humbën jetën dhe 155 u lënduan.

Prokurori publik i shtetit Ljupço Kocevski ka njoftuar se në lidhje me zjarrin në lokalin e natës Pulse në Koçan, ku humbën jetën 59 persona, po punohet për ndjekjen urgjente të 14 të dyshuarve.

Ai bëri të ditur se ata dyshohen për “krime të rënda kundër sigurisë publike” nga neni 292 i Kodit Penal me dënim me burg prej së paku tre vjet pa kufi të sipërm dënimi, i cili mund të shkojë deri në 20 vjet. Ai gjithashtu tha se po hetohen aktet e marrjes dhe dhënies së ryshfetit, si dhe prokurimi i paligjshëm i lëndëve piroteknike.

“Deri më sot po punohet për përpunimin urgjent të 14 personave të siguruar nga veprimet tona të deritanishme. Sa i përket këqyrjes, mund të them se janë siguruar të gjitha faktet dhe provat e rëndësishme relevante në vendin e ngjarjes dhe vijojnë analizat shtesë dhe ekspertizat nga zona përkatëse, tha ai, duke shtuar se ekziston mundësia që këtë javë të inicohet procedurë hetimore”, tha Kocevski.

Lidhur me tragjedinë e mbrëmshme në Prokurorinë Publike të Koçanit janë marrë në pyetje ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut Goran Trajkovski dhe një person tjetër. Paraprakisht është marrë në pyetje edhe kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, dhe siç ka njoftuar Prokuroria, do të merret vendim për statusin e tij të mëtutjeshëm në procedurë.

“Kryetari i komunës është marrë në pyetje dhe ka dhënë disa sqarime dhe informacione. Një deklaratë e tillë krahasohet me materialin dëshmues dhe me kompetencat e komunës, pas së cilës do të vendoset për statusin e mëtutjeshëm të saj në procedurë”, njoftoi Prokuroria.

Sipas hetimeve të deritanishme të institucioneve, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe aparate zjarrfikëse të mjaftueshëm. Në të materialet piroteknike përdoreshin në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as licencë të ligjshme operimi, si dhe nuk ishte lidhur asnjë marrëveshje me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues./Telegrafi/

Exit mobile version