Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve R.K, P.M, M.U dhe G.M, për shkak të dyshimit të bazuar për përdorim të paautorizuar të armëve.
Më parë e gjer më datë 15.08.2020, në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me nenin 5 par.1 të Ligjit për Armë (Ligji nr. 05/L-022) kanë mbajtur në pronësi dhe kontroll të paautorizuar armë nga të cilat me datë 15.08.2020, rreth orës 17:00, gjersa ishin së bashku në Bjeshkët e Istogut, kanë shkrepur disa herë në ajër duke shkaktuar frikësim dhe shqetësim te banorët e asaj ane, e të cilat armë pastaj i sekuestron policia.
Me këto veprime të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale përdorim i paautorizuar i mjetit të rrezikshëm apo armës.
Të pandehurve R.K, P.M, M.U dhe G.M iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/