Site icon Telegrafi

Paraburgim ndaj zyrtarit policor dhe dy qytetarëve, dyshohen për disa vepra penale

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji zyrtarit policor me inicialet S.N dhe dy qytetarëve me inicialet Q.TH dhe Rr.K, të cilët janë arrestuar dy ditë më parë nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Sipas njoftimit të gjykatës, S.N dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe veprën penale në bashkëkryerje “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Ndërsa, Q.Th dyshohet për veprën penale në bashkëkryerje “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” si dhe i pandehuri Rr.K për veprën penale në bashkëkryerje “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lexo po ashtu Arrestohet një polic dhe katër qytetarë, dyshohen për disa vepra penale

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.N, Q.Th dhe Rr.K, andaj të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin”, thuhet në komunikatën për media.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër tre të pandehurve dhe ka vlerësuar se është përmbushur kriteri nga neni caktohet në bazë të nenit 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si kusht i veçantë për caktimin e paraburgimit, ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurve, ndikimi në dëshmitarë si dhe pesha e rëndë e veprës penale,  andaj i njëjti ka konstatuar se masa e paraburgimit në këtë fazë të procedurës penale është e vetmja masë, për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale, në këtë çështje juridiko – penale”.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/

Exit mobile version