Site icon Telegrafi

Paraburgim ndaj një të dyshuari për armëmbajtje dhe kanosje në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.R. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga kjo Gjykatë.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake e Departamentit për Krime të Rënda Hysnije Gashi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri E.R. ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit.

“I pandehuri ka kanosur seriozisht me armë të dëmtuarin I.T. pas një mosmarrëveshje me të pandehurin, andaj ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri në liri do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë provat e veprës penale, apo të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarët dhe të dëmtuarin”, thuhet ndër të tjera në komunikatë

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Telegrafi/

 

Exit mobile version