Site icon Telegrafi

Paraburgim ndaj 15 të arrestuarve në aksionin “Gropa”

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurve S.SH., A.D., V.N., S.D., A.SH., B.H., S.SH., S.H., M.SH., shtetas të Republikës së Kosovës, dhe Z.S., F.D., M.Y., A.D., H.I., S.Y., shtetas të Republikës së Turqisë, të cilët janë arrestuar në aksionin “Gropa” ku u konfiskuan mbi 70 kilogramë heroinë.

Sipas njoftimit të gjykatës, të njëjtit dyshohen për shkak të veprës penale prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge ose veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike.

Lexo po ashtu Aksioni “Gropa” në Ferizaj, kërkohet paraburgim për 15 të arrestuarit – prokuroria thotë se lëndën e parë të drogës e morën në Iran

Gjykata në këtë rast ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale të lartpërmendur, dhe se ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër pesëmbëdhjetë (15) të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara më lartë”, thuhet në komunikatën për media.

Me këtë rast palët janë njoftuar se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Telegrafi/

Exit mobile version