Site icon Telegrafi

Para të shumta false në Kosovë, disa nga ndërmarrjet nuk po i pranojnë monedhat 2-euroshe për pagesa

Tash e disa muaj, monedha dy euroshe vazhdon të bëhet problematike në Kosovë. Disa ndërmarrje publike kanë ndaluar pranimin kësaj monedhe si formë pagese, ndërsa Policia e Kosovës thotë se nga fillimi i vitit janë iniciuar qindra raste për veprën penale “falsifikim i parasë”.

Po ashtu, shumë qytetarë dhe biznese janë duke u ankuar se në treg janë duke qarkulluar sasi e madhe e parave të falsifikuara.

Sipas Policisë së Kosovës, brenda katër muajve janë rreth 400 raste të veprës penale “falsifikimi i parasë”.

“Për periudhën kohore janar-prill 2023, janë 363 raste nga vepra penale ‘falsifikim i parasë'”, thuhet në përgjigjen e PK-së për Telegrafin.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” pohon se nuk janë duke i pranuar monedhat dy euroshe, ngase sipas tyre ka pasur raste që bankat komerciale i kanë vërtetuar se janë false.

“Ne si KRU ‘Prishtina’ nuk jemi duke i pranuar monedha prej 2 euro, sepse ka pasur raste kur kanë qene false, ngase bankat komerciale e kanë vërtetuar. Derisa të bëjmë diçka për monedha të metalit, ndonjë aparat që i identifikon, mbetet kështu. Deri atëherë, vazhdojmë që të mos i pranojmë”, thotë për Telegrafin zëdhënësja Arjeta Mjeku.

Ndërsa, “Prishtina Parking” thotë se mos pranimi i monedhës 2-euroshe lidhet me mbrojtjen financiare dhe integritetin e zyrtarëve të kësaj ndërmarrje.

“Arsyeja e ndalimit të monedhës 2 euro nga N. P. L. ‘Prishtina Parking’ ndërlidhet me disa fusha. E para, ka të bëjë me dëmin financiar që i shkaktohet ndërmarrjes nga monedhat e falsifikuara, e cila po të vazhdohej, do të mund të shkonte deri në 30-40 mijë euro në vit. Prandaj, qëllimi i këtij vendimi është mbrojtja e financave të ndërmarrjes”, tha për Telegrafin kryeshefi i “Prishtina Parking”, Sokol Havolli.

Lexo po ashtu Paratë e falsifikuara “vërshojnë” tregun e Kosovës – forenzika konfiskon nga 100 dhe 500 euro

“Me qenë se zyrtaret tonë bëjnë dorëzimin e mjeteve në banka, atëherë banka është ballafaquar me këto monedha të falsifikuara. Si rezultat, konform procedurave, banka ka njoftuar policinë. Por, në këto raste, Policia ka intervistuar zyrtarët tonë. Zyrtarët tonë deri tani nuk kanë pasur pajisje për identifikim të monedhave të falsifikuara, dhe për t’i mbrojtur ligjërisht dhe integritetin e zyrtarëve tanë kemi qenë të detyruar të marrim këtë masë”, shton ai.

Havolli gjithashtu thekson se kjo ndërmarrje ka iniciuar pagesën përmes kartelave bankare, me qëllim të evitimit të vështirësive për pagesa për qytetarët.

“Duke pasur parasysh faktin se ky proces mund të shkaktojë vështirësi edhe për qytetarët, ne përveç pranimit të pajisjeve për detektim të parave të falsifikuara, tani më kemi iniciuar procesin e mundësimit të pagesës edhe përmes kartelave bankare. Qëllimi është që si ndërmarrje të ofrojmë mënyra të shumta të pagesës për qytetarët, duke mos rrezikuar stabilitetin dhe integritetin e ndërmarrjes”, përfundoi Havolli.

Për Shoqatën e Bankave të Kosovës (SHBK), luftimi i kësaj dukurie nuk është në mandatin e saj dhe se dukuria e qarkullimit të parave të falsifikuara në treg është një problem i vazhdueshëm në shumë vende të botës.

“Dukuria e qarkullimit të parave të falsifikuara në treg është një problem i vazhdueshëm në shumë vende dhe sisteme ekonomike te botës. Shoqata e Bankave të Kosovës mbledh statistikat për të monitoruar këtë dukuri negative në mënyrë që ta ketë një pasqyrë të qartë te gjendjes dhe zhvillon fushata informuese të cilat inkurajojnë dhe informojnë qytetarët të përdorin sa më shumë shërbimet e pagesave digjitale si një mënyrë e mirë për të shmangur paratë e falsifikuara. Ndërsa, luftimi i kësaj dukurie nuk është në mandatin e SHBK-së por është në mandatin e institucioneve shtetërore të sigurisë të cilat e vëzhgojnë këtë dukuri dhe intervenojnë sipas situatave të caktuara dhe në përputhje me ligjet në fuqi”, thekson SHBK-ja.

Telegrafi ka provuar të merr komentet për këtë fenomen edhe nga Banka Qendrore e Kosovës, mirëpo deri në shkrimin e këtij artikulli, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Ndryshe, Ligji për Bankën Qendrore të Kosovës, kartëmonedhat dhe monedhat e paraqitura te institucionet financiare, që dyshohen të jenë false, duhet të nxirren nga qarkullimi dhe menjëherë duhet t’u dërgohen autoriteteve të caktuara. /Telegrafi/

Exit mobile version