Telegrafi

Para ndeshjes mori lajmin se i kishte vdekur gjyshi, por luajti 90 minuta – madje Eric Garcia e shpëtoi Barcelonën nga humbja

Mbrojtësi spanjoll i Barcelonës, Eric Garcia pati një ditë të tmerrshme të shtunën, pasi gjyshi i tij u nda nga jeta dhe mori karton të kuq të fund të ndeshjes ndaj Athletic Bilbaos, por në një mënyrë ishte heroi i ekipit të tij.

Barcelona barazoi me rezultat 1-1 në udhëtim te Athletic Bilbao në ndeshjen e javës së dytë në La Liga.

Megjithatë, klubi katalunas mund të humbte në fund nëse mbrojtësi Eric Garcia nuk do të reagonte me një ndërhyrje.

Lexo po ashtu Barcelona del me një pikë nga ‘San Mames’ – super goli i Depay shpëton katalunasit nga humbja

Garcia ‘de facto’ ishte hero i Barcelonës pasi ndali nga mbrapa sulmuesin Nico Williams të Bilbaos, i cili po dilte i vetëm me portierin.

Mbrojtësi spanjoll ndërhyri në minutat shtesë nga mbrapa dhe gjyqtari pa u menduar dy herë ia dha kartonin e kuq.

Por, loja deri në minutën e 90-të e Garcias duhet vlerësuar maksimalisht pasi lojtari para ndeshjes mori një lajm shumë të hidhur.

Garcia vendosi ta luante ndeshjen edhe pse e mësoi se gjyshi i tij është ndarë nga jeta para takimit të tij me Bilbaon. /Telegrafi/