Telegrafi

Para hundëve të rusëve, amerikanët tregojnë fuqinë e tyre: Ja ku jemi, në Gjeorgji! (Foto)

Ushtria e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Gjeorgjisë, kanë filluar sot një stërvitje të përbashkët, me qëllim të trajnimit të ushtarëve të ish-republikës sovjetike që të marrë pjesë në forcën e reagimit të shpejtë të NATO-s.

Presidenti i Gjeorgjisë, Giorgi Margvelashvili, ka deklaruar para fillimit të ushtrimit dyjavorë, ku marrin pjesë 1.300 ushtarë, se vendi i tij do të bëhet anëtare e NATO-s, transmeton Telegrafi.

Gjeorgjia ka angazhuar 870 trupa, që marrin pjesë në programin e udhëhequr nga aleanca ushtarake në Afganistan.

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë, e ka quajtur “hulumtim” veprimin e NATO-s në territorin e Gjeorgjisë  si dhe “hap provokues”, qëllimi i të cilit është destabilizimi i rajonit.

Rusia dhe Gjeorgjia e kanë zhvilluar një luftë të shkurtër në vitin 2008, ndërsa Moska vazhdon t’i mbështes rajonet separatiste gjeorgjiane, Osetia Jugore dhe Abhazia, që gjenden në kufi me Rusinë.

Në një deklaratë të lëshuar nga kjo ministri, thuhet se ushtria amerikane ka sjellë me vete tanket “Abrams”, duke e cilësuar veprimin si jo rastësi pasi një veprim të tillë e kishte ndërmarrë edhe gjatë vitit të kaluar.

Por reagimi i Gjeorgjisë ishte i menjëhershëm, duke iu përgjigjur Moskës zyrtare, se veprim tejet më provokues ishte ai i përkrahjes së ndarjes së rajoneve të Gjeorgjisë siç janë Abkazia dhe Osetisë Jugore. /Telegrafi/