Ka përfunduar pa fitues derbi mes Gjilanit dhe Ballkanit, pasi dy skuadrat kanë ndarë pikët 1-1.
Ndeshja nisi më mirë me skuadrën vendase, që rrezikoi në minutat e para në tri raste me Blerim Krasniqin, por goditjet e tij ishin të pa sakta.
Albert Dabiqajt iu dha mundësi e mirë për golin, por mesfushori në momentet e fundit dështoi ta dërgoi topin në rrjetë.
Rastin e parë suharekasit e patën në minutën e 27-të, kur goditja e Armend Thaqit u prit me mund nga Koliqi, derisa edhe goditja e dytë nga Solomon u prit për mrekulli nga gardiani shqiptar.
Në minutën e 38-të, Gerhard Progni lëshoi një projektil drejt portës së mysafirëve, por pa sukses.
Edhe Nazmi Gripshi i mysafirëve tentoi me një goditje nga distanca, por që përfundoi jashtë portës.
Me rezultatin e bardhë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Pjesa e dytë nisi më e ashpër, kur në minutën e 54-të, mesfushori i Gjilanit, Besar Musolli u ndëshkua me karton të kuq pasi shkeli kundërshtarin.
Vetëm tre minuta më vonë, Gjilani kaloi në epërsi, kur Gerhard Progni realizoi pas asistimit nga Fiton Hajdari.
Epërsia e vendasve nuk zgjati më shumë se gjashtë minuta, pasi Nazmi Gripshi i mysafirëve shënoi një gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë për ta barazuar rezultatin në 1-1.
Dy skuadrat deri në fund të ndeshjes luajtën me kujdes të madh dhe kjo bëri që gola të mos ketë më.
Kësisoj si vendasit ashtu edhe mysafirët mbetën të kënaqur me nga një pikë pasi rezultati përfundimtar ishte 1-1.
Ballkani me këtë pikë ndanë vendin e parë me Drenicën me nga 17 sosh, derisa Gjilani mbetet në vendin e tretë me 14 pikë.
Gjilani javën e ardhshme do të luaj përsëri në shtëpi, ku kësaj radhe është nikoqir i Feronikelit, derisa Ballkani udhëton në Klinë për tu përballur me Dukagjinin. /Telegrafi/