Telegrafi

Paqartësi rreth kontratës kolektive

Kontrata kolektive, një marrëveshje e nënshkruar në mars të vitit të kaluar nga Qeveria e Kosovës, nga përfaqësuesit e bizneseve dhe punëtorëve – e cila do të duhej të hynte në fuqi më 1 janar të këtij viti – po del të ketë shumë paqartësi.

Përfaqësuesit e bizneseve japin mendime të ndryshme rreth zbatimit të kësaj marrëveshje, e cila do duhej të rregullonte raportet në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe njëherësh të eliminonte shumë shkelje të të drejtave të punëtorëve.

Aleanca Kosovare e Biznesit, si nënshkruese e kësaj kontrate, ka përfaqësuar bizneset në këtë marrëveshje. Agim Shahini, kryetar i kësaj shoqate ekonomike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se kjo kontrate po zbatohet nga 70 për qind e bizneseve në Kosovë. Sipas tij, zbatimi i kësaj kontrate do të ketë vështirësi në sektorin publik, pasi “sektori privat ka zbatuar disa nga nenet e kësaj kontrate edhe pa qenë në fuqi”.

“Kjo marrëveshje kolektive e ka koston e vet edhe për sektorin privat edhe sektorin publik. Kjo kontratë do të shkojë në atë formë që nuk do të ndahen të gjitha fondet qysh në janar. Në muajin shkurt do të duhej të gjithë punëmarrësit të marrin nga dy euro shujtën e cila e është e garantuar me këtë marrëveshje. Në të kaluarën kjo nuk ka qenë obligative, por që sektori privat, pra shumë kompani private e kanë bërë në baza vullnetare e tani është obligative. Në sektorin publik në mbi 90 për qind kjo nuk ka qenë e rregulluar” shton ai.

Ndryshe nga ajo se çfarë thonë në Aleancën Kosovare të Biznesit, shprehen përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë. Ata kishin kundërshtuar në atë kohë nënshkrimin e kësaj kontrate, pasi – siç ishin deklaruar – është bërë në kohë të fushatës zgjedhore dhe si e tillë iu kishte shërbyer synimeve populliste. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka shumë paqartësi në marrëveshjen kolektive dhe si e tillë nuk është në harmonim me Ligjin themelor të punës.

“Ne besojmë që marrëveshja kolektive është në kundërshtim me ligjin themelore të punës më konkretisht me nenin 90.5 të ligjit të punës i cili thotë se kontratat kolektive duhet të zbatohet vetëm nga ato kompani të cilat marrin përsipër zbatimin e dispozitave të saj, që do të thotë se e le në diskrecion të kompanive që ato vetë të vendosin në mënyrë vullnetare të zbatojnë ose jo marrëveshjen kolektive. Ndërsa, marrëveshja kolektive thotë që ajo duhet të zbatohet detyrimisht nga të gjitha kompanitë në Kosovë”, shton Zeka.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kundërshton aprovimin e kontratës kolektive në fillim të këtij viti për shkak edhe të procedurave të miratimit të një marrëveshje e cila ka implikime të mëdha për sektorin privat dhe se nuk ka qenë e rregullt.

“Kjo marrëveshje kolektive do të shtonte më tej presionin mbi sektorin privat, duke e ngadalësuar kështu rritjen e tij”, shton Zeka.

Për paqartësitë e kësaj kontrate ka reaguar edhe Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës. Përmes një komunikate për media, kjo shoqatë ka theksuar se kjo marrëveshje nuk është trajtuar me bizneset dhe nuk është diskutuar për mundësitë e tyre dhe për ngarkesat buxhetore te cilat do te reflektojnë në afarizmin cilësor të bizneseve.

Ndërkohë, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në një takim me përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Biznesit, citohet të ketë thënë se për marrëveshjen kolektive ka kërkuar sqarime nga zyra ligjore. /REL/