Të rinjtë në Kosovë konsiderojnë se papunësia, korrupsioni dhe emigrimi do të jenë sfidë për Kosovën në dhjetë vitet e ardhshme.
Sipas një studimi të Fondacioni Friedrich Ebert (FES) për rininë në Kosovë, që u publikua të martën, doli në pah se të rinjtë kosovarë i besojnë FSK-së (81 për qind), Policisë së Kosovës (74 për qind) dhe bashkësive fetare (72 për qind) më së shumti prej institucioneve vendore.
Ndërkaq, besimi në qeverinë është (30 për qind), parlamentin (17 për qind) dhe partitë politike (9 për qind), raporton KosovaPress.
Pjesë e prezantimit të këtij studimi ishte kryeministri Albin Kurti, i cili tha se është shqetësuese që të rinjtë janë më pak të interesuar dhe informuar për politikën.
Megjithatë, ai tha se në bazë të raportit del se të rinjtë në Kosovë më shumë favorizojnë politikat e majta.
“Është pak shqetësuese gjetja që sot një pjesë e të rinjve janë të pa interesuar dhe të painformuar për politikën. Historikisht rinia ka qenë gjithmonë nismëtare e vendimeve dhe kthesave të mëdha. E dina rolin e saj në drejtimin e rrugës progresive dhe progresiste. Edhe rinia sot kur pyetën për masa specifike favorizojnë përgjithësisht politika të majta. Si një vend që po rritet ekonomikisht shpejtë e majta apo modeli socialdemokrat siguron që përfitimet të shpërndahen përgjithësisht”, tha ai.
Kreu qeveritar iu bëri apel të rinjve kosovarë që të vazhdojnë të jetojnë dhe punojnë në Kosovë.
Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se institucionet në Kosovë duhet ta shfrytëzojnë këtë studim për të parë sesi ndryshojnë modelet e të rinjve, ndikimin e tyre dhe çka mendojnë ata.
“Kosova është dhe mbetet vendi më i ri në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. Kur erdha unë këtu, mosha mesatare ishte 29 vjeç, mendoj se tani është 31, por kur bëjmë një krahasim me vendet e tjera, shumica e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor janë mbi 40 vjeç.
Ndërsa në vendin tim, është pothuajse 47. Kështu që edhe unë kam kaluar atë moshë mesatare. Pra, ajo që doja të them është se ky studim për të rinjtë është me të vërtetë në kohën e duhur, ngase ju zbuloni se si ndryshojnë modelet e të rinjve, çfarë mendojnë ata, ndikimi tyre…
Ashtu si kryeministri, është pak shqetësuese kur kupton se angazhimi apo mosangazhimi i të rinjve është mjaft i lartë, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Dhe për shkak se të rinjtë kanë ndikim në politikë, një studim i tillë nuk është vetëm me interes për akademinë apo sociologët, por është se si të angazhohen të rinjtë në proceset politike. Sepse ndryshe nga Gjermania, ju me të vërtetë keni një ndikim politik, për shkak të pothuajse 50 për qind të njerëzve nën 30 vjeç. Dhe mendoj se, për vendimmarrësit politikë, dhe disa prej tyre, dhe kryeministri janë këtu, është me të vërtetë e rëndësishme të dini se çfarë mund të bëni për çështjet si arsimi, punësimi ose mospërputhja midis kualifikimit dhe punës në të cilën jeni, kur nuk ka përputhe njëqind për qind. Çfarë mund të bëni gjithashtu për të parandaluar migrimin e njerëzve. Pra, këto janë temat që trajton studimi dhe ofron edhe zgjidhje për vendimmarrësit”, tha ai.
Kurse, drejtori i Zyrës së FES, Peter Hurrelbrink, tha se ky studim duhet të ofrojë bazë të mirë për politika konkrete dhe për të përmbushur nevojat dhe pritshmëritë e të rinjve në Kosovë.
“Shpresojmë që ky studim të ofrojë një bazë të mirë për politika konkrete, për të përmbushur më mirë nevojat dhe pritshmëritë e të rinjve këtu në vend. Kosova mund ta shfrytëzojë më mirë potencialin e rinisë së saj, dhe ky studim shpresojmë se do të japë disa sugjerime për këtë. Njerëzit në vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm në Kosovë, dhe jo vetëm të rinjtë, përditë e kuptojnë se ka shumë pak progres në përmirësimin e jetës së tyre të përditshme.
Kjo është arsyeja pse gjithnjë e më shumë prej tyre po vendosin të largohen nga vendet e tyre. Shumica e tyre shkojnë në Bashkimin Evropian, i cili në fakt përfiton nga kjo dukuri, veçanërisht Gjermania, kështu që kjo është e mirë për Bashkimin Evropian, por është një fatkeqësi sipas meje për vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi ai.
Detaje për studimin dha menaxheri i programit të FES, Egzon Osmanaj. Ai tha se pavarësisht sfidave për të ardhmen, të rinjtë janë optimist për të ardhmen e tyre personale dhe të përgjithshme.
“Çfarë të rinjtë shohin se do të jetë sfida më e madhe në dekadën e ardhshme. Papunësia dhe korrupsioni kanë zënë vend edhe në të kaluarën në studimet e FES. Mirëpo ajo çka është e rëndësishme se është edhe sfida e tretë që është emigrimi, i cili s’ka qenë në studimet e kaluar por tani përmendet si një prej sfidave që Kosova do të përballet në dekadën e ardhshme.
Pavarësisht këtyre sfidave që të rinjtë i shohin, në përgjithësi janë optimist si për të ardhmen personale ashtu edhe të ardhmen e përgjithshme. Rreth 87 për qind e të rinjve e perceptojnë të ardhmen e tyre më të mirë në aspekt personal, por edhe në aspekt të përgjithshëm rreth 77 për qind e tyre mendojnë se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë sesa që është tani”, përfundoi Osmanaj.