Site icon Telegrafi

Papa Françesku: Shqipëria, një vend me histori të lashtë dhe të lavdishme

Papa Françesku ka pritur një grup pelegrinësh shqiptarë, të cilët ndodhen në Romë për të përkujtuar 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – i njohur për historinë si Skënderbeu.

Në fjalimin e tij para pelegrinëve shqiptarë, Papa Françesku shfrytëzoi rastin për të përshëndetur të gjithë shqiptarët “në emër të lidhjes së lashtë të miqësisë dhe marrëdhënieve të përhershme” që shqiptarët kanë me Vatikanin.

Papa Françesku vuri në dukje “historinë e lashtë dhe të lavdishme” të Shqipërisë, duke theksuar se vendi është një pjesë integrale e Evropës, me kulturën e saj unike.

“Sot, ne kujtojmë Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, një bir heroik i një populli të fortë dhe bujar, i cili mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe krishterimin”, tha Papa Françesku.

Skënderbeu, vazhdoi ai, “e forcoi identitetin kulturor shqiptar me veprat e tij, duke u bërë një simbol i padiskutueshëm i kohezionit dhe unitetit kombëtar”.

Siç raporton Vatikan News, përcjell Telegrafi,  Papa Françesku gjithashtu foli për emigrimin e shumë të krishterëve pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit të mëvonshëm të Shqipërisë dhe përshëndeti praninë e italo- shqiptarëve në mesin e pelegrinëve.

“Shpresoj sinqerisht që ky përvjetor nuk do të kufizohet vetëm në kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara,” tha Papa, por sipas tij do të jetë gjithashtu një mundësi e mirë për të ripërtërirë një angazhim të gjithë institucioneve dhe qytetarëve, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të emigrojnë.

Papa Françesku vuri në dukje klimën e respektit dhe besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve në Shqipëri.

Kjo, tha ai, tregon se bashkëjetesa paqësore e qytetarëve që u përkasin feve të ndryshme është një realitet i mundshëm që prodhon harmoni për një popull të tërë, duke transformuar bashkëjetesën e thjeshtë në bashkëpunim dhe vëllazëri të vërtetë./Telegrafi/

Exit mobile version