Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka thënë se asnjëherë çështjet ekonomike nuk janë vendosur në tryezën e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai vendosjen e taksës prej 10 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina e ka quajtur të duhur për ekonominë e Kosovës.
Sipas tij, nga ky vendim mund të preken disa biznese.
“Ky vendim është për t’u përshëndetur, por ka prodhues që mund të preken të cilët eksportojnë në Serbi, mirëpo në përgjithësi për ekonominë e Kosovës ky vendim është i duhur. Kosova është në negociata me Serbinë, por asnjëherë nuk është vendosur në tryezën e bisedimeve çështja ekonomike, prandaj janë këto çështje ku Serbia është dekonstruktive ndaj Kosovës, e të cilës nuk i konvenon që të kemi një pavarësi ekonomike. Ata e mbizotërojnë tregun e Kosovës, jo pse i kanë produktet më të mira, por se ne i kemi lejuar mjaftë hapësirë që të depërtojnë pa asnjë pengesë derisa përballemi me masa kur eksportojmë në Serbi”, ka theksuar Panxha.
Sipas tij, kjo tarifë ka mundur të jetë edhe më e lartë, por nëse nuk ka përmirësim atëherë duhet të rritet.
“Nëse e shohim në aspektin ekonomik kjo tarifë ka mundur të jetë edhe më e lartë, por nëse nuk shohim përmirësim nga ana e Serbisë, atëherë kjo tarifë mund të rritet. Në aspektin politik, duke e ditur se çfarë barriera ka nga Serbia, atëherë Kosova do të duhej të vendoste embargo totale”, tha Panxha.
Kosova sipas tij, ka kapacitete të mjaftueshme që t’i zëvendësoj produktet. “Ne kemi kapacitete të mjaftueshme që të zëvendësojmë një pjesë të madhe të produkteve që vijnë nga Serbia, sepse edhe pse kanë kapacitete të mëdha por kanë vështirësi në depërtim në treg për shkak të produkteve të Serbisë”, ka thënë Panxha.
Ai thotë se me këtë ekonomi të brishtë Kosova ka mbetur e izoluar. “Është koha të flasim për korrigjimin e tregut të brendshëm të ekonomisë, sepse nuk mund të anëtarësohemi në BE me këtë ekonomi të brishtë, nuk mund të kemi liberalizim të vizave sepse na kanë izoluar, kjo do të thotë se Kosova është shteti më i izoluar”, ka shtuar ai.
Panxha tregon se eksporti duhet të përkrahet dhe të hyrat nga kjo tarifë të përdoret për bizneset.
“Eksporti i Kosovës duhet të përkrahet qoftë nëpërmjet linjave kreditore, subvencionimin apo edhe lehtësirave fiskale, sepse ne kemi një eksport që është nën nivelin e 300 milionë eurove, kjo nuk do të thotë se nuk kemi kapacitete, mirëpo kjo vjen se kemi probleme me vendet e rajonit, sepse Kosovën e shohin një treg që dëshirojnë të shesin çdo gjë, por nuk dëshirojnë të blejnë asgjë. Të hyrat që do të krijohen nga kjo tarifë, duhet t’i alokohen bizneseve, në qoftë se Serbia apo Bosnja do t’i vendos masat e reciprocitetit, mirëpo nuk besoj se këto vende do t’i vendosin masat sepse ne nuk eksportojmë në ato shtete”, ka theksuar Panxha.
Ai shtoi se Qeveria e Kosovës duhet t’i qëndroj presionit të BE-së, pasi që tregojmë seriozitet si shtet.
“Na shpresojmë që Qeveria e Kosovës do t’i qëndroj presionit të Bashkimit Evropian ndaj këtij vendimi, sepse tregojmë dhe seriozitetin si shtet para prodhuesve dhe qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Panxha. /Telegrafi/