Përfaqësuesja shqiptare e Futbollit nisi grumbullimin këtë të dielë në Hotel Tirana për dy ndeshjet eliminatore të botërorit Rusi 2018 me Lihtensteinin dhe Maqedoninë.
I pari në vendgrumbullim u shfaqën trajneri Kristian Panucci dhe sulmuesi Azdren Llullaku, ndërsa në orën 21:00 mbërriti grupi i parë i futbollistëve kuqezi.
Në orën 23:00 skuadra mori formë më të plotë, ndërsa gjatë kësaj të hënë në dispozicion të Panuccit do të vihen edhe Abrashi, Kukeli dhe Grezda. I fundit që do t’i bashkohet skuadrës të martën do të jetë Migjen Basha, i cili do të jetë i impenjuar në Serinë B me Barin.
Në një lidhje direkte nga Hotel Tirana për Zona Gol, trajneri i Shqipërisë theksoi rendësinë që kanë dy takimet e radhës për kuqezinjtë.
“Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, sepse kur vesh fanellën e kombëtares nuk ekzistojnë miqësoret dhe ndeshjet e lehta. Ndaj Lihtensteinit që duket ndeshje e lehtë, nëse nuk hyn në fushë me mentalitetin e duhur gjithçka mund të kthehet shumë e vështirë. Pastaj kemi përballjen shumë të rëndësishme me Maqedoninë. Të dyja duhet t’i marrim me shumë seriozitet.”
Më pas Panucci shojegoi arsyen përse u ka dërguar ftesë tre prurjeve të reja, Hysen Memollës, Valon Ahmedit dhe Ivan Balliut.
“Kanë bërë mirë në këtë periudhë dhe e pashë të arsyeshme për t’i grumbulluar. Janë lojtarë interesante dhe që mund të kontribuojnë në kombëtare. Shpresoj të mos kem gabuar.