Telegrafi

Pantina: Paga minimale nuk është problem për bizneset, shikoni çfarë makina vozisin pronarët e tyre (Video)

Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina ka thënë se ngritja e pagës minimale për sektorin privat në Kosovë është domosdoshmëri.

Pantina, në “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë se paga nuk është asistencë sociale por shpërblim për punën që punëtori kryen.

“Çfarë mund të bëhet më një pagë 130 apo 170 euro…Ka mbi tetë vite që nuk është ngritur niveli i pagës minimale në sektorin privat, derisa në sektorin publik ato janë rritur vazhdimisht. Mendojmë se është përgjegjësi i Këshillit ekonomiko-fiskal që të bëj propozimin, e pastaj Qeveria me një udhëzim administrativ e vendos cila do të jetë paga minimale”.

Deputetja e PSD-së ka thënë se në bazë të konsultimeve që kjo parti ka bërë me ekspertët, kanë ardhur në përfundim se paga minimale duhet të jetë në mes 240-250 eurove.

“Ky ka qenë edhe propozimi që ne kemi dhënë. Qoftë 239 apo 250 euro, me rëndësi është që paga duhet të ngritët dhe të mos mbetet në shifrat aktuale”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Pantina ka thënë se kjo pagë nuk është e papërballueshme për punëdhënësin.

“Kemi parë shumë biznese që pronarët nuk është se i kanë punët keq. Vetëm po t’ua shohësh makinat që vozisin tregon se nuk është se nuk kanë fitim nga puna e tyre, por këtë fitim ata nuk duhet ta realizojnë në kurriz të punëtorëve”.

Deputetja opozitare shtoi më tej se është e nevojshme që bizneset të stimulohen edhe nga shteti përmes kredive të buta apo mënyrave tjera./Telegrafi/