Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, ka thënë se deputetët kanë tërhequr nënshkrimet në momentin e fundit për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për Astrit Deharin.
“Aktualisht kemi 39 nënshkrime, e na duhen 40 për të iniciuar seancën”, ka thënë ajo.
Pantina, në Info Magazine të Klan Kosovës u shpreh se në Lëvizjen Vetëvendosje dyshojnë që deputetët i kanë tërhequr nënshkrimet nga presioni politik.
“Njëri nga këta deputetë është parë të hyjë në zyrën e kryetarit të Kuvendit, para se të fillojë mbledhja, dhe me të filluar takimi ka pasur deklarata se ai po e tërheqë nënshkrimin”, shtoi ajo.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Sadri Ferati, ka thënë se pozita nuk po dallon nga opozita në rastin e vdekjes së dyshimtë të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se “politika duhet të qëndrojë pa reaguar, derisa të dalin ekspertët me raportet finale nga ekspertiza”.
Ferati ka thënë se “Vetëvendosje ka paragjykuar”.
“E gjithë kjo, nëse po shfrytëzohet për të krijuar një mjegull, po përgatitet një qëndrim jo korrekt. Kushdo që ka qenë jokompetent dhe ka pasur deklaratë se çfarë ka ndodhur, ka gabuar duke folur”, ka thënë Ferati.