Site icon Telegrafi

Panik në Britani të Madhe, pas paralajmërimit për ashpërsim të masave kundër COVID-19 zbrazen marketet – raftet pa artikuj ushqimor

Në marketet në mbarë Britaninë e Madhe janë zbrazur raftet, kurse britanikët të pushtuar nga paniku po blejnë në masë të madhe edhe përmes internetit, që ka sjellë deri te një interesim i madh për kompanitë që merren me blerjet online.

Blerjet masive të artikujve të ndryshëm ushqimor kanë ndodhur pas masave strikte të izolimit që janë paralajmëruar nga qeveria, me qëllimin e parandalimit të përhapjes së mëtejme të coronavirusit, transmeton Telegrafi.

Britania e Madhe të martën ka shënuar një rekord të zi të rasteve të reja me variantin e ri të coronavirusit, 60.916 – besohet se shumica prej tyre janë prekur nga varianti i ri i COVID-19 që është shumë më ngjitës.

Kryeministri britanik Boris Johnson ka paralajmëruar të hënën se do të “mbyll” anglezët, dhe se ata do të mund të largohen nga shtëpitë vetëm në raste urgjente.

Masa të ngjashme janë aplikuar edhe në Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut, që gjithashtu kanë ashpëruar masat për shkak të pandemisë së COVID-19.

Në rrjetet sociale kanë filluar të shpërndahen fotografitë nga marketet nëpër Britani të Madhe, ku raftet janë të zbrazëta e klientët në masë të madhe blejnë letër tualeti, pemë dhe perime – nga frika se karantina disa javore nuk do t’i lejoj të largohen nga shtëpitë – përveç në raste emergjente. /Telegrafi/

Exit mobile version