Një grua sot pretendonte brenda një aeroplani në Stamboll se i përket organizatës “FETO”. Por, ishin pasagjerët ata që e mbajtën të rrethuar, derisa para tyre u shfaqën anëtarët e sigurimit të cilët nuk gjetën asgjë të dyshimtë te ajo.
Qeveria turke akuzon “FETO” gjithashtu e njohur si Hizmet për tentim puçin e vitit 2016 në Turqi, ku shumë persona humbën jetën pas eskalimit të situatës, transmeton Telegrafi.
E gruaja që pretendonte se është terroriste ka shkaktuar panik gjatë fluturimit nga Stamboll, dhe me nervozizëm mbante lart në dorë librin e shenjtë Kuranin duke kërcënuar vazhdimisht se do ta hedh në erë aeroplanin.
Me syze dielli dhe me burkë në kokë, kjo grua pretendonte se i përket organizatës “FETO”, që Turqia e akuzon për tentim puçin e vitit 2016. Por, pas intervenimit të pasagjerëve ajo është nxjerrë nga aeroplani.
Më pas ekipet e sigurimit kanë kontrolluar aeroplanin që për destinacion kishte Qipron, nga frika se mund të ketë diçka të dyshimtë. Sipas “Qipro Mail”, gruaja bërtiste: “Jam anëtare e FETO-s, do ta hedh në erë aeroplanin”.
Pamjet e filmuara brenda aeroplanit shfaqin gruan e rrethuar nga pasagjerët e tjerë, pasi ajo kishte ngritur dorën me të cilën mbante Kuranin dhe vazhdimisht bërtiste.
Ajo madje kishte pretenduar se i ka pesë bomba, e sipas mediave turke, ajo dukej sikur mbante edhe fotografinë e Fetullah Gulenit, klerikut që qëndron prapa kësaj organizate. /Telegrafi/