Rezervime online dhe shëtitje virtuale nëpër qytet, turizmi gjerman është zgjuar nga letargjia analoge e i ka hyrë digjitalizimit. Edhe pse me probleme.
Kalimi i pushimeve në Gjermani pësoi një bum të madh në vitet e pandemisë COVID-19, plazhet ishin të mbipopulluara, hotelet dhe kampingjet nuk kishin më vende dhe digjitalizimi papritmas mori një hov.
“Shumë biznese të vogla gjermane u njohën me përparësitë e digjitalizimit”, bën të ditur Shoqata Federale e Industrisë Gjermane të Turizmit (BTW).
Sipas një sondazhi të Shoqatës Gjermane të Turizmit (DTV), në vitin 2021, 84 për qind e kompanive të anketuara thanë se digjitalizimi ishte bërë më i rëndësishëm si rezultat i pandemisë.
Për shembull, në disa zona të bregut të Detit të Veriut, pushuesit tani mund të përdorin aplikacionin “Frida” për të kontrolluar hyrjen dhe daljen nga hotelet ose për të rezervuar tavolina në restorante. Në Detin e Veriut dhe Detin Baltik mund të rezervohet dhe të paguhet në internet për shezlonët e plazhit.Në shumë vende, bileta digjitale e vizitorëve ka zëvendësuar biletën prej letre. Biletat digjitale ofrojnë shpesh hyrje me zbritje në shumë objekte, por edhe qasje falas në plazh.
Trendi i pandalshëm: Shërbimet turistike po bëhen gjithnjë e më digjitale
Megjithatë, ka ende punë për të bërë: Në nivel evropian, Gjermania mbetet ende prapa, si për shembull sa u përket pagesave jo me para të gatshme. Ajo që është standarde në Danimarkë, Poloni apo Lituani, në Gjermani mbetet ende një ëndërr e së ardhmes.
Problem tjetër janë boshllëlqet në rrjetin celular, sidomos në disa zona rurale nuk ka WiFi të mjaftueshëm publik. Aty ku nuk ka rrjet, nuk ka asnjë komunikim me vizitorin.
Megjithatë, duket se industria e turizmit është zgjuar nga gjumi i thellë analog. Papritmas funksionon ajo që është lënë pas dore për kaq shumë vite. Ofertat turistike reklamohen më shumë në internet, në faqet e internetit të optimizuara për pajisjet celulare dhe në mediat sociale, Instagrami përdoret si një mjet marketingu. Janë zhvilluar produkte të reja dixhitale për të treguar destinacione turistike.
Në Münih, Bamberg apo Wolfenbüttel, agjencitë e marketingut të qyteteve e kanë kuptuar rëndësinë e guidave digjitale. Qyteti i Essenit, për shembull, prej vitit 2021 ofron guida të përziera virtuale dhe reale, në kuadër të projektit “Essen 1887”. Vizitorët ecin nëpër qytet me syze speciale të kontrolluara me GPS. Dhe ata shohin karroca me kuaj tek lëvizin nëpër rrugë ose holograme, pra njerëz virtualë nga viti 1887, të cilët ofrojnë njohuri nga historia e qytetit. Një biletë kushton 25 euro, ajo mund ta blihet – në mënyrë analoge – në pikën e informacionit turistik ose online.
Edhe “TimeRide Go” në Koln ose Berlin ofrojnë udhëtime virtual në kohë dhe gjallërojnë epokat e mëparshme. Për këtë përdoren syze të realitetit virtual. Gjithashtu portali i akomodimit Airbnb ofron përvoja virtuale në internet, si për shembull një pjatë me makarona me gjyshen e shtëpisë ose një udhëtim virtual në Taj Mahal.
Pikat e dobëta në menaxhimin e vizitorëve
Udhëtimi në Gjermani është bërë më komod me dixhitalizimin. Pjesë e shërbimit ndaj klientit është edhe menaxhimi i vizitorëve, por ai duhet të përmirësohet. Turistët së shpejti duhet të jenë në gjendje të informohen në internet edhe për rrugë të bllokuara, kasolle alpinistësh të mbyllura, plazhe të mbipopulluara apo hapësira të lira të parkimit.
Se si mund të bëhet kjo, këtë e tregon projekti “Strategjia e digjitalizimit në kohën e COVID-19 për bregun e Detit të Veriut të Saksonisë së Poshtme”. Në sezonet verore të pandemisë 2020/21, njerëzit u dyndën në brigjet gjermane, por ata duhet të mbanin distancën në plazh. Si mund tët organizohej kjo?
Për të drejtuar fluksin e vizitorëve, organizata e marketingut Die Nordsee 2021 lançoi një sistem semafori që është ende në përdorim. Ai tregon nivelin e popullimit të plazheve, vizitorët dhe automjetet numërohen nëpërmjet sensorëve me laser. Pushuesit mund të ndjekin të dhënat në kohë reale në faqen e internetit dhe në ekranet e instaluara në plazh. Nëse numri i vizitorëve arrin kufirin e lejuar, atëherë vizitorëve të rinj u tregohen alternativa.
Jo çdo gjë në turizëm mund të zgjidhet në mënyrë digjitale
Në Gjermani nuk mungojnë idetë. Sipas Shoqatës Gjermane të Hoteleve dhe Restoranteve (DEHOGA), sfida më e madhe qëndron në integrimin e teknologjive të reja në infrastrukturat e vjetra. Sipas një studimi të fundit nga Shoqata Gjermane e Turizmit, 77 për qind e kompanive të anketuara përmendën mungesën e stafitdhe 61 për qind mungesën e fondeve si pengesën më të madhe për përparimin teknologjik. Dhe me stafin, mungon njohuria dhe zhvillimi i koncepteve të marketingut dhe shitjes.
Megjithatë, duke qenë se turizmi është kryesisht një industri shërbimesh, jo gjithçka mund të zgjidhet në mënyrë dixhitale. Daljet, takimet personale, mikpritja ose shija në një restorant – këto janë gjëra që duhen bërë nëpërmjet ndërveprimit fizik, dhe është kontakti ndërpersonal ai që i bën pushimet një përvojë. /Deutsche Welle/